As reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me konkursin e fundit, e as ai i zëvendësministrit të Mbrojtjes, nuk mund t’i fshehin faktet dhe as ta mjegullojnë opinionin publik për përgjegjësinë e BDI-së si trashëgimtare e kësaj situate.
Zëvendësministri, me sa duket, as nuk informohet siç duhet dhe, aq më pak, ka kredibilitetin e nevojshëm për të pasur qasje të plotë në zhvillimet aktuale, e lëre më në ato të së kaluarës.
Sa i përket periudhës së cilës i referohet ai, kur Akademia Ushtarake nuk ka funksionuar, kadetët shqiptarë janë shkolluar në Akademinë “Skënderbeu” në Tiranë, si dhe në Sofje e Ankara.
Ndërsa, për të ilustruar më qartë se si kanë qenë numrat dhe përfaqësimi në atë periudhë, po e ndihmojmë zëvendësministrin me një të dhënë konkrete: në vitin 2012, nga gjithsej 25 kadetë të pranuar, 12 ishin shqiptarë, po aq maqedonas dhe një boshnjak.
Nga ana tjetër, reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila thekson se një kandidat është renditur në vendin e 43-të në listën e rangimit, dëshmon qartë se deri ku e ka katandisur kjo garniturë qeverisëse parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Në fund të fundit, minimumi që Ministria e Mbrojtjes mund të bënte, në respektim të frymës dhe parimeve të Marrëveshjes së Ohrit, ishte që ky kandidat të pranohej.








