-1.2 C
Skopje

Basha blen “Komplotin” e Blushit me autograf

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar Panairin e Librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në mesin e takimeve dhe vizitave në stendat e panairit, dallon ajo me shkrimtarin Ben Blushi.

Kryedemokrati ka zgjedhur që të blejë librin e ri të Blushit, “Komplot”, me autograf, ndërsa kanë pasur edhe një shtrëngim duarsh, raporton “Shqiptarja”.

Basha ishte i shoqëruar nga deputetja Flutura Açka dhe drejtuesi i këshillit Euroatlantik në PD, Preç Zogaj, njëherazi të dy edhe shkrimtarë.

Panairi i Librit do të qëndrojë i hapur deri më 19 nëntor.

Javën e kaluar, Blushi promovoi romanin e tij të ri edhe në Prishtinë, i cili ngjalli shumë interesim.

Libri i Blushit

Autori Ben Blushi ka prezantuar disa ditë më parë librin “Komploti”, i cili flet për Shqipërinë e vitit 2044. Në një rrëfim për “News24”, Blushi ka treguar detaje nga libri i tij, sipas të cilit refugjatët që do shkojnë në Shqipëri do organizohen për të marrë pushtetin politik.

“Është koincidencë e bukur sepse gjithë këto ditë më kanë shkruar ose më kanë pyetur që si ka mundësi që ke parashikuar që mbas shumë vitesh Shëngjini do të kthehet në një bashki të huajsh, emigrantësh më saktë. Këto ditët e fundit pati një marrëveshje me Italinë dhe duket sikur kjo u vendos. Sigurisht, është fryt i fantazisë. Unë kam shkuar shpesh në Shëngjin aty ku ka shumë afganë prej dy vitesh dhe aty më ka lindur ideja e një komploti, në një vend si Shqipëria, e cila zbrazet”.

“Pra ideja themelore e librit është çfarë ndodh me Shqipërinë pas 20 vitesh, nëse popullsia jonë bjerret, pra pakësohet edhe më shumë se kaq. Ne kemi qenë 3 milionë e pak banorë ndërsa sot jemi ndoshta 2 milionë e gjysmë, ku i dihet që mbas 20 vitesh do të jemi 1 milionë e gjysmë për shkak të emigrimit të lartë dhe rënies së lindjeve. Sot lindin më pak bebe se kurrë në Shqipëri. Këtu lindnin 36 mijë bebe në vit, ndërsa tani lindin më pak se 35 mijë bebe. Pra rënia jonë e popullsisë te ne është drastike. Ne e ndjejmë se jemi popull i vogël. Ideja e librit është çfarë ndodh me Shqipërinë nëse numri i shqiptarëve zvogëlohet dhe popullsitë e huaja, refugjate apo emigrante, shtohen”.

“Në një vend si Shqipëria, që mirë apo keq është vend evropian, nuk do të ketë refugjatë gjermanë, apo anglezë, as suedezë, por do ketë emigrantë nga vende më të pazhvilluara se ne, që mund të jenë vende aziatike apo afrikane siç po flitet. Dhe kur këta do të vijnë, siç ndodh në Francë, Itali, apo Belgjikë, ata do të organizohen për të marrë më shumë pushtet ekonomik, më shumë pushtet shoqëror, apo politik. Kjo është ideja e ‘Komplotit’, një konflikt mes shqiptarëve dhe të huajve që vijnë këtu, për të krijuar një shtet më të madh”, ka thënë Ben Blushi.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit