Debati i ditëve të fundit në Tetovë lidhur me raportin mes fesë dhe identitetit kombëtar shqiptar ka nxitur reagime të ndryshme në opinion.
Në këtë debat është përfshirë edhe deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, i cili ka bërë thirrje për ruajtjen e unitetit dhe harmonisë ndërfetare mes shqiptarëve.
Azizi ka vlerësuar se feja dhe kombi janë pjesë e identitetit të përbashkët shqiptar dhe ka kundërshtuar përpjekjet për t’i vendosur ato në kundërshtim me njëra-tjetrën.
“Feja dhe kombi janë pjesë e identitetit tonë të përbashkët. T’i vendosësh përballë njëri-tjetrit nuk është vetëm gabim; është një përpjekje për të mohuar një realitet historik, kulturor dhe shpirtëror të popullit tonë”, ka shkruar Azizi.
Sipas tij, përkatësia fetare nuk duhet të përdoret si kriter për përcaktimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve.
“Askush nuk ka të drejtë ta përdorë fenë si kriter për të përcaktuar kush është apo nuk është shqiptar”, ka theksuar deputeti i VLEN-it.
Azizi është shprehur gjithashtu se tradita e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare mes shqiptarëve përbën një vlerë që duhet ruajtur dhe jo të shfrytëzohet për përçarje.
Në reagimin e tij, ai ka argumentuar se feja dhe kombi nuk duhet të shihen si të kundërta, duke bërë thirrje që dallimet fetare të mos shndërrohen në konflikt identitar.
“Shqiptarët kanë qenë dhe duhet të mbeten shembull i tolerancës, bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare”, ka përfunduar Azizi.






