Avokati Arianit Koci ka konfirmuar se e ka gjetur vendin ku po mbahet trupi i Faton Hajrizit, i cili u vra të premten në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Në një prononcim të shkurtë për KOHËN të enjten [sot] nga Serbia, Koci ka thënë se për detaje të tjera “do të lajmërohem gjatë ditës”.
Koci është avokat i autorizuar nga familja për ta tërhequr trupin e Faton Hajrizit nga Serbia.
Autoritetet serbe të premten e kaluar njoftuan se është vrarë personi, i cili dyshohet se vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër afër kufirit me Bosnjë-Hercegovinën. Më vonë u komunikua se i dyshuari ishte Faton Hajrizi, i cili qe arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një konferencë për media të mërkurën [dje] ngriti dyshimet se ende nuk ndihet nëse i vrari është Faton Hajrizi. Të hënën, kjo ministri konfirmoi se gjurmët e gishtërinjve të dërguar nga Serbia i përkisnin shtetasit Faton Hajrizi.