Përpjekja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të përshpejtuar vënien në shërbim të avionit të ri presidencial ka çuar në rritje të kostove dhe kompromise në disa elemente të sigurisë, sipas një hetimi të publikuar nga New York Times.
Sipas raportimit, Trump u përfshi personalisht në vendimmarrjen për modernizimin e avionit Boeing 747-8, i cili iu dhurua Departamentit amerikan të Mbrojtjes nga Katari.
Ai miratoi veçoritë dhe masat e sigurisë që do të përfshiheshin në avionin e ri, me synimin që ai të ishte gati për përdorim përpara festimeve të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara.
Hetimi pretendon se modernizimi u realizua në rreth tetë muaj, një afat shumë më i shkurtër se ai që ekspertët e konsiderojnë të nevojshëm për një transformim të plotë të një avioni presidencial. Si pasojë, disa sisteme të rëndësishme të sigurisë, të pranishme në avionët aktualë Air Force One, nuk u instaluan në modelin e ri. Mes tyre përmenden një dalje emergjente në pjesën e poshtme të avionit, kapacitete shtesë të furnizimit me energji dhe një sistem i avancuar kundër raketave.
Raporti shton se qeveria amerikane shpenzoi qindra miliona dollarë për pajisje trajnimi për pilotët, ndërsa kostot e modernizimit të avionit arritën në rreth 400 milionë dollarë. Sipas New York Times, një pjesë e shpenzimeve u mbulua nga një buxhet i klasifikuar i Pentagonit.
Çështja mori vëmendje edhe pas një incidenti gjatë udhëtimit të Trump në Turqi këtë muaj. Sipas raportit, Shërbimi Sekret rekomandoi që presidenti të përdorte një avion tjetër, pas identifikimit të një kërcënimi të besueshëm nga forca të lidhura me Iranin.
New York Times pretendon se avioni i ri nuk disponon të gjitha sistemet mbrojtëse të modelit të mëparshëm. Administrata amerikane i ka hedhur poshtë këto shqetësime. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se avioni është “plotësisht i gatshëm për mision dhe i sigurt për udhëtimet presidenciale”, ndërsa njoftoi se këtë vjeshtë do t’i nënshtrohet përmirësimeve të mëtejshme.
Edhe Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë mbrojtur procesin e modernizimit, duke e cilësuar atë një sukses.






