AUV asgjëson mbi 1 ton produkte mishi në Ohër dhe Strugë

Advertisement

Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kryen inspektime të paplanifikuara në dyqane mishi në Strugë dhe Ohër, gjatë të cilave u sekuestruan dhe u asgjësuan 1,000 kilogramë mish pule – një produkt që është i ndaluar për import dhe përdorim. Gjithashtu, u sekuestruan dhe u asgjësuan 55 kilogramë përgatitje mishi që përmbanin mish pule.

“Janë iniciuar masa sanksionuese për kundërvajtje ndaj dy dyqaneve të mishit, të cilat nuk e respektuan vendimin zyrtar që ndalon importin dhe përdorimin e stomakëve të pulës, të destinuar për konsum njerëzor, në prodhimin e përgatitjeve dhe produkteve të mishit”, thonë nga atje.

Sipas AUV-së, inspektimet e kryera në Ohër dhe Strugë janë pjesë e masave të shtuara të kontrollit, që synojnë parandalimin e aktiviteteve të paligjshme në tregtimin e këtij lloji ushqimi, frenimin e praktikave të tilla të jashtëligjshme dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

“Për të garantuar një nivel të lartë mbrojtjeje për shëndetin publik dhe interesat e konsumatorëve, në korrik të vitit 2024, Agjencia nxori një vendim që ndalon importin dhe përdorimin e stomakëve të pulës, të destinuar për konsum njerëzor, në prodhimin e përgatitjeve dhe produkteve të mishit. Ky vendim u bazua në rreziqet e mundshme shëndetësore të identifikuara lidhur me konsumimin e pjesës muskulore të stomakëve të shpendëve, duke përfshirë kontaminimin e mundshëm nga patogjenë (baktere dhe viruse), praninë e toksinave dhe rreziqe të tjera të ngjashme”, njoftoi AUV.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e vendosi këtë ndalim duke u mbështetur në rezultatet e një analize rreziku mbi kërcënimet e mundshme shëndetësore për qytetarët nga konsumimi i këtij lloji të brendshmërive të shpendëve, si dhe në gjetjet e inspektimeve, të cilat zbuluan keqpërdorime dhe mashtrime ndaj konsumatorëve nga ana e disa kompanive për përpunimin e mishit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit