Një 46-vjeçar nga Haraçina është ndaluar nga policia në lidhje me aksidentin e trafikut që ndodhi më 7 gusht në rrugën “Radishanska” në Shkup, ku humbi jetën një 19-vjeçar me motoçikletë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në aksident u përfshinë një automjet “Alfa Romeo” me targa italiane, i drejtuar nga një 47-vjeçar nga Shkupi, dhe një motoçikletë “Kawasaki”, e drejtuar nga 19-vjeçari nga fshati Pobozhje.
Motoçiklisti ka ndërruar jetë në vendin e aksidentit si pasojë e plagëve të marra. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i tij është dërguar për obduksion.
Drejtuesi i “Alfa Romeos” ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim në Spitalin “Shën Naum Ohridski”.
Gjatë hetimit në vendngjarje dhe pas sigurimit të pamjeve nga kamerat, policia ka konstatuar se në aksident, pa pasur kontakt fizik, ka qenë i përfshirë edhe një automjet tjetër, “Seat Altea” me targa të Shkupit.
Sipas MPB-së, drejtuesi i “Seat Altea”-s është larguar nga vendi i ngjarjes pa u ofruar ndihmë personave të lënduar.
Policia më vonë e ka gjetur automjetin dhe drejtuesin, 46-vjeçarin S.O. nga Haraçina. Ai është ndaluar dhe është dërguar në stacion policor, ku është zhvilluar bisedë zyrtare.
Nga MPB bëjnë të ditur se pas përfundimit të dokumentimit të rastit, ndaj 46-vjeçarit do të ngrihet kallëzim përkatës.






