Analisti dhe aktivisti Armend Nuhiu ka reaguar me një postim kritik në rrjetet sociale lidhur me debatet e fundit për emrat e rrugëve në zonat me shumicë shqiptare informon Tetovasot.
Në postimin e tij, Nuhiu e cilëson si paradoksale sjelljen e një pjese të opinionit shqiptar, duke thënë se shpesh ka reagime të forta për çështje ndërkombëtare, ndërsa mungon reagimi kur preken çështje që lidhen drejtpërdrejt me identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve në vend.
“Shqiptari i Tetovës, i Gazi Babës, i Çairit, i Butelit, i Gostivarit, mund të të hidhet në fyt për Palestinën, por kur i ndërrojnë emrin shqip të rrugës para shtëpisë, e kthen kokën në anën tjetër”, ka shkruar Nuhiu.
Ai më tej vlerëson se strukturat aktuale në pushtet po punojnë për të zhbërë rezultatet që, sipas tij, shqiptarët i arritën pas konfliktit të vitit 2001.
“Nuk shoh se do të hasin në shumë vështirësi”, shkruan ai, duke aluduar në mungesën e reagimit të gjerë ndaj zhvillimeve të fundit.
Postimi i Nuhiut vjen në kohën kur në opinion vazhdojnë debatet për identitetin, përfaqësimin dhe simbolikën publike në komunat me shumicë shqiptare, veçanërisht pas polemikave të fundit lidhur me emërtimet e rrugëve.
Postimi i plote:
Gjendje paradoksale:
Shqiptari i Tetovës, i Gazi Babës, i Çairit, i Butelit, i Gostivarit, mund të të hidhet në fyt për Palestinën, por kur i ndërrojnë emrin shqip të rrugës para shtëpisë, e kthen kokën në anën tjetër.
Natyrisht, struktura aktuale maqedonase në pushtet e di këtë gjendje, prandaj edhe i janë futur punës për t’i shkatërruar të gjitha rezultatet që arritën shqiptarët pas luftës së vitit 2001.
Nuk shoh se do të hasin në shumë vështirësi.





