Ansambli Muzikor i Tetovës drejt mbylljes, çfarë po ndodh?

Draft-strategjia për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut ka nxitur debat për fatin e Ansamblit Muzikor në Tetovë, i përmendur si institucion me kapacitete të kufizuara, ndërsa paralajmërohet edhe “racionalizimi” Kjo ka ngritur shqetësime për ristrukturim apo mbyllje, ndërsa institucioni flet për mungesë mbështetjeje dhe punësimesh të parealizuara. Reagime ka pasur edhe nga opozita, ndërsa Ministria e Kulturës hesht, shkruan Portalb.mk.“

 

 

Strategji e re e kulturës 2026/30

Në përputhje me Ligjin për kulturën, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hartuar draft-tekstin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit.

 

Në dokumentin strategjik përfshihen analiza të gjendjes në fushën e kulturës për periudhën 2019–2024.

 

Që nga 24 marsi, draft-teksti i Strategjisë Kombëtare është publikuar edhe në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER), ku mund të dorëzohen mendime, propozime dhe vërejtje, ndërsa në prill pritet dialog me subjektet nga fusha e kulturës.

 

Çfarë thuhet në strategji për Ansamblin e Tetovës?

Ansambli i Tetovës përmendet në seksionin 2.1.6. “Veprimtaria muzikore dhe muzikore-skenike’.

 

Në dokument thuhet se në vitin 2023 u themelua Ansambli Muzikor – Tetovë i cili ka kapacitete të kufizuara hapësinore për veprim, me dy të punësuar.

 

“Për këtë arsye, në periudhën e ardhshme pesëvjeçare do të racionalizohet rrjeti i institucioneve kombëtare, përmes një analize të qartë të rolit dhe shtrirjes së tyre programore”, thuhet mes tjerash në strategji.

 

Drejtori i Ansamblit ngre dilema se mund të mbyllet

Drejtori i Ansamblit Muzikor të Tetovës, Blerim Qamili për Portalb.mk tha se formulimi për racionalizim të rrjetit të institucioneve kombëtare, në praktikën administrative, nënkupton ristrukturim të mundshëm, bashkim (fuzionim) apo edhe ndërprerje të funksionimit të institucioneve që konsiderohen të pakonsoliduara.

 

“Pra, problemi real nuk është një vendim i drejtpërdrejtë për mbyllje, por fakti që Ansambli është vendosur në një kategori institucionesh që mund të preken nga këto masa, si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale dhe mosplotësimit të kapaciteteve të tij”, tha Qamili.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit