Ambasadori i Kosovës shpreh ngushëllime për viktimat e aksidentit tragjik në afërsi të Hanit të Elezit–Bllacë

Advertisement

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja,ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit dhe miqtë e Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur mbrëmë në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ai bëri të ditur se, që nga marrja e informacionit për rastin, Ambasada e Republikës së Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, si dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme gjatë gjithë trajtimit të rastit.

Sipas ambasadorit, pas përfundimit të procedurave përkatëse nga autoritetet kompetente, trupat e pajetë pritet të transportohen në Republikën e Kosovës.

“Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet dhe të dashurit e të ndjerëve. U prehshin në paqe!”, thuhet në mesazhin e ambasadorit./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit