Ministri i Shëndetësisë dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Azir Aliu në emisionin “nPodium” në Ora 24.tv ka akuzuar BDI-në se derisa ka qenë në pushtet, provimi në administratë ka qenë vetëm në gjuhën maqedone. Sipas tij, le që janë dhënë provimet në gjuhën maqedone, por kjo garniturë tanimë opozitare, ka qenë pjesë e grupeve që kanë evaluar si profesorë e kështu me radhë.
“Në periudhën kur unë kam qenë ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë e kam bërë provimin në gjuhën shqipe. Asnjëri me vite nuk është munduar ta bëjë provimin në gjuhën shqipe. Sot flasin për provim të jurisprudencës pse nuk është në gjuhën shqipe, ndërsa të gjithë fëmijët e politikanëve në top menaxhmentin e BDI-së kanë dhënë provimet në gjuhën maqedone, derisa kanë pasur prindërit kryeministra, ministra e drejtorë. Të gjithë ato le që kanë dhënë provimet në gjuhën maqedone, por edhe kanë dhënë shërbime, pra kanë qenë pjesë e grupeve që kanë evaluar si profesorë e kështu me radhë”, ka thënë Aliu.
Dhe asnjëherë sipas tij, nuk është folur për këtë, ky narrativ duhet të ndryshojë dhe siç tha ai “ne këtë e bëmë”.
“Çdoherë e përmendi punën e Agjendës së gjelbër, BDI arriti në fazën e agjendës së gjelbër se gjithçka ka mbaruar, ne jemi të barabartë dhe tani do të merremi me standardet ndërkombëtare.
Pra ky narrativ nuk na bën nder as neve si politikanë, as qytetarëve e as institucioneve. Pra ky narrativ duhet të ndryshojë dhe e ndryshuam dhe kjo është frika më e madhe që ka BDI”, ka thënë ministri Aliu.






