Ali Ahmeti: Provimi i jurisprudencës duhet të jepet edhe në gjuhën shqipe, çdo zgjidhje tjetër është kthim prapa

Advertisement

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i është drejtuar publikisht ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Në një reagim të gjatë, Ahmeti thekson se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve garanton të drejtën e qytetarëve për të zhvilluar procedurat institucionale në gjuhën shqipe, duke vlerësuar se Ministria e Drejtësisë ka detyrim ligjor ta zbatojë këtë të drejtë.
Ai kundërshton mundësinë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në maqedonisht, duke e cilësuar një zgjidhje të tillë si regres dhe cenim të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
Ahmeti gjithashtu shpreh shqetësim për atë që, sipas tij, po përgatitet t’i prezantohet Komisionit të Venecias, duke pretenduar se po zhvillohen takime koordinuese në Ministrinë e Drejtësisë për të harmonizuar qëndrimet institucionale rreth kësaj çështjeje.

Kreu i BDI-së kërkon nga ministri Shasivari që të heqë dorë nga çdo iniciativë që, sipas tij, synon kufizimin e të drejtave gjuhësore dhe të mundësojë organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në fund, Ahmeti u drejtohet edhe garantuesve ndërkombëtarë të Marrëveshjes së Ohrit, SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë, duke kërkuar vëmendje për zhvillimet që lidhen me të drejtat gjuhësore të shqiptarëve.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit