Situatë alarmante është raportuar në Ungrej të Lezhës, ku zjarri në zonën e Rrasit dhe Zimajt po përparon me shpejtësi dhe flakët janë afruar pranë zonave të banuara.
Deputeti Agron Gjekmarkaj ka ngritur alarmin përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se përveç pyjeve, nga zjarri rrezikohen edhe banesat, kishat dhe varrezat e fshatrave.
“Situatë tejet e rëndë në Rras dhe Zimaj. Zjarri po përparon me shpejtësi dhe flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave, kishave dhe varrezave të fshatrave”, ka shkruar Gjekmarkaj.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht me të gjitha forcat dhe mjetet në dispozicion, duke paralajmëruar se vonesat mund ta përkeqësojnë situatën.
Ndërkohë, banorët vijojnë të përballen me rrezikun nga përhapja e flakëve drejt zonave të banuara.






