Një operacion i madh ndërkombëtar policor ka çuar në goditjen e një grupi të organizuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkufitar të drogës.
Gjatë aksionit, deri tani janë arrestuar disa persona, ndërsa policia ka sekuestruar rreth 300 kilogramë marihuanë.
Operacioni po zhvillohet në bashkëpunim mes Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Departamentit për Kriminalistikë, dhe ekipeve policore e prokuroriale nga Kosova dhe Greqia.
Sipas informacioneve, aksioni është rezultat i një hetimi disa-mujor, gjatë të cilit janë monitoruar aktivitetet e një rrjeti të dyshuar për kontrabandë të lëndëve narkotike në të tri shtetet.
Kontrollet dhe veprimet policore po vazhdojnë në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se, për shkak të hetimit në vijim, nuk janë bërë ende të ditura identitetet e personave të arrestuar dhe detajet e tjera të operacionit.






