Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Byroja e Sigurisë Publike, në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, ka realizuar një aksion të përbashkët antiterrorist, me qëllim zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve që ndërlidhen me veprat penale „Terrorizëm“ dhe „Organizatë terroriste“.
Aksioni është ndërmarrë pas informacioneve të siguruara nga ASK-ja në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, të cilat në fillim të vitit iu dorëzuan Sektorit për Luftimin e Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë. Informacionet kishin të bënin me gjashtë persona, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të moshës nga 29 deri në 73 vjeç, nga Shkupi dhe Kumanova.
Pas aktiviteteve të ndërmarra të koordinuara operative dhe hetimore, aksioni u realizua nga shërbimet kompetente policore pranë Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, me mbështetjen e Njësisë Speciale Antiterroriste „Tigrat“.
Në bazë të urdhrave të gjykatësit të procedurës paraprake, janë kryer bastisje në katër lokacione, me ç’rast janë privuar nga liria katër persona. Gjithashtu, në Republikën e Greqisë është privuar nga liria edhe një person tjetër, i cili iu dorëzua organeve kompetente në vendin tonë. Për personin e gjashtë, për të cilin ka informacione se ndodhet jashtë shtetit, po ndërmerren masa për gjetjen e tij.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar telefona celularë, laptopë, kompjuterë personalë, pajisje memorieje USB, fletore me kontakte, një skicë me lokacion të shënuar, si dhe armë zjarri dhe municion, një pjesë e të cilave pa leje përkatëse. Sendet e sekuestruara do t’i nënshtrohen analizave dhe ekspertizave të mëtejshme.
Gjatë procedurës është konstatuar ndërlidhja e ndërsjellë e personave, si dhe lidhja e tyre me shtetas të huaj, ndër të cilët edhe persona të ndërlidhur me të ashtuquajturat rrjete përfaqësuese (proxy). Gjithashtu, është konstatuar se ata kishin për qëllim të kryenin një akt terrorist, të drejtuar kundër një objektivi në territorin e një shteti tjetër.
Për aktivitetet e ndërmarra dhe njohuritë e siguruara është njoftuar prokuroria publike kompetente, ndërsa ndaj pesë personave gjykatësi i procedurës paraprake ka caktuar masa përkatëse.
Ky aksion është dëshmi e nivelit të lartë të bashkëpunimit dhe koordinimit operacional ndërmjet MPB-së/BSP-së dhe ASK-së, i cili bazohet në shkëmbimin e vazhdueshëm të informacioneve, analizën e përbashkët të njohurive të sigurisë dhe veprimin e koordinuar.
Vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi e dëshmon edhe fakti se nga fundi i vitit 2024 e deri më sot, në koordinim me ASK-në, MPB-ja ka vepruar në 10 raste, në të cilat janë përfshirë gjithsej 22 persona, si dhe në dy raste të veçanta kundër dy personave për veprën penale „Pjesëmarrje në ushtri të huaj, polici, formacione paraushtarake ose parapolicore, në tentativë“.
MPB-ja dhe ASK-ja vazhdojnë bashkëpunimin intensiv, së bashku me prokurorinë publike kompetente dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim zbulimin dhe parandalimin në kohë të aktiviteteve që mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe rajonale








