Pesë të arrestuar në një aksion të MPB-së dhe ANB-së

Advertisement

Pesë persona janë privuar nga liria në një aksion të përbashkët antiterrorist të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB), i realizuar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Aksioni kishte për qëllim zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve që lidhen me veprat penale „Terrorizëm“ dhe „Organizatë terroriste“.

Sipas njoftimit të MPB-së, bëhet fjalë për gjashtë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të moshës nga 29 deri në 73 vjeç, nga Shkupi dhe Kumanova. Informacionet për aktivitetet e tyre ishin siguruar nga ANB-ja përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Pas aktiviteteve të koordinuara operative dhe hetimore, aksioni u realizua nga njësitë kompetente policore, me mbështetjen e Njësisë Speciale Antiterroriste „Tigrat“.

Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, janë kryer kontrolle në katër lokacione, ku janë arrestuar katër persona. Një person tjetër është arrestuar në Greqi dhe më pas u është dorëzuar autoriteteve kompetente në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, për personin e gjashtë, i cili dyshohet se ndodhet jashtë vendit, vazhdojnë kërkimet.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar telefona celularë, laptopë, kompjuterë, pajisje USB, fletore me kontakte, një skicë me lokacion të shënuar, si dhe armë zjarri dhe municion, një pjesë e të cilave pa leje përkatëse.

Sipas MPB-së, hetimet kanë zbuluar lidhje të ndërsjella mes personave të dyshuar, si dhe lidhje me shtetas të huaj, përfshirë persona të ndërlidhur me të ashtuquajturat rrjete proxy. Gjithashtu, janë siguruar informacione se ata kishin planifikuar të kryenin një akt terrorist ndaj një objektivi në territorin e një shteti tjetër.

Për rastin është njoftuar Prokuroria kompetente Publike, ndërsa ndaj pesë personave janë caktuar masa përkatëse nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se ky aksion është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm me ANB-në. Nga fundi i vitit 2024 e deri më sot, në koordinim me ANB-në, MPB-ja ka vepruar në 10 raste ku janë përfshirë gjithsej 22 persona, si dhe në dy raste të veçanta ndaj dy personave për veprën penale „Pjesëmarrje në ushtri, polici, formacione paraushtarake ose parapolicore të huaja në tentativë“.

MPB-ja dhe ANB-ja paralajmërojnë vazhdimin e bashkëpunimit me Prokurorinë dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim zbulimin dhe parandalimin në kohë të aktiviteteve që mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe rajonale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit