Energjia po bëhet një nga faktorët kyç në garën globale për tërheqjen e investimeve në teknologjitë e avancuara, inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave (data centers). Aftësia e vendeve për të siguruar burime të sigurta dhe të qëndrueshme të energjisë, infrastrukturë të zhvilluar, kuadro profesionale dhe një mjedis të parashikueshëm biznesi, do të përcaktojë në masë të madhe konkurrueshmërinë e tyre në rrjedhat e reja ekonomike. Këtë e theksoi Ajri Shej, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të TESSA Group, në konferencën e katërt për digjitalizim „Powering the Next Generation of Industries“, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Maqedoninë e Veriut (AmCham), e cila u mbajt sot në Shkup.
Me fjalime hyrëse në konferencë u paraqitën zëvendësshefi i Misionit të SHBA-së në vend, Zachary Harrison, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, si dhe Slavko Projkovski, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Odës Ekonomike Amerikane në vend.
Në kuadër të panel-diskutimit „Nga tranzicioni energjetik te investimet digjitale – avantazhi konkurrues i Maqedonisë së Veriut“, Shej theksoi se transformimi digjital dhe ai energjetik janë dy procese të pandashme, integrimi i të cilave krijon mundësi të konsiderueshme për investime të reja, zhvillimin e bizneseve dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike.
„Transformimi digjital është i pamundur pa një sektor të qëndrueshëm energjetik, ashtu siç energjetika moderne nuk mund të zhvillohet pa digjitalizim. Këto janë dy procese plotësisht komplementare, të cilat nxisin dhe plotësojnë njëra-tjetrën, ndërsa siguria kibernetike është e domosdoshme për funksionimin e tyre të sigurt dhe afatgjatë. Maqedonia ka mundësi të pozicionohet në rrjedhat e reja ekonomike globale, por debatin duhet ta orientojmë drejt krijimit të kushteve konkrete për realizimin e investimeve. Duhet të investojmë në kapacitete energjetike dhe infrastrukturë, të sigurojmë një mjedis të parashikueshëm biznesi dhe të krijojmë mundësi që kuadrot e reja profesionale të realizojnë potencialin e tyre në vend. E ardhmja u përket modeleve të biznesit që integrojnë energjetikën, teknologjitë e avancuara dhe sigurinë kibernetike“, theksoi Shej.
Si një nga shembujt më ilustrues të ndërlidhjes ndërmjet energjetikës dhe digjitalizimit, Shej përmendi investimet në qendrat e të dhënave, për realizimin e të cilave, përveç furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike, nevojiten edhe procedura administrative efikase, kosto të parashikueshme investimi, siguri juridike dhe ekspertizë e përshtatshme. Investime të tilla kanë rëndësi strategjike për ekonominë dhe krijojnë mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës me vlerë të shtuar të lartë, si dhe për mbajtjen e kuadrove profesionale në vend.
Pikërisht ndërlidhja ndërmjet energjetikës, teknologjisë së informacionit dhe sigurisë kibernetike qëndron në themel të modelit të biznesit të TESSA Group, e cila, përmes kompanive TESSA Energy, TESSA Tech dhe TESSA Sec, i ofron këto tri komponentë si zgjidhje të integruara, në përputhje me nevojat e ekonomisë moderne.
Përmes TESSA Energy, grupacioni ka investuar 2,5 milionë euro në kapacitete të reja kogjeneruese në Shkup, me fuqi elektrike të instaluar prej 2,1 MW dhe fuqi termike prej 2,6 MW. Në fazën e dytë të ciklit investues parashikohet ndërtimi i një centrali të ri kogjenerues me efikasitet të lartë, me fuqi të instaluar prej 10,5 MW dhe një vlerë të parashikuar investimi deri në 10 milionë euro. Me këto investime, grupacioni kontribuon në rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe termike, duke zhvilluar njëkohësisht kapacitete dhe ekspertizë për t’iu përgjigjur nevojave në rritje të ekonomisë digjitale.
Në konferencën e katërt për digjitalizim të AmCham-it mbajti fjalim edhe ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, prezantimi i të cilit iu kushtua krijimit të kushteve për industritë e së ardhmes. Në konferencë folën gjithashtu përfaqësues të EVN Maqedoni, TITAN Usje, Telekomit dhe kompanive të tjera nga vendi.









