Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi sot një takim të hapur dhe përmbajtësor me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Özlem Canel.
Në qendër të takimit ishte domosdoshmëria që vendi të gjejë sa më parë rrugën për vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ahmeti theksoi se çdo vonesë e mëtejshme në procesin integrues e largon vendin nga perspektiva evropiane, dobëson institucionet dhe krijon pasiguri politike, ekonomike dhe shoqërore.
Gjatë takimit, Ahmeti ka ngritur siç thuhet shqetësimin serioz lidhur me goditjet e vazhdueshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve që garantojnë barazinë, kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit.
Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit është themeli i paqes dhe i funksionimit demokratik të shtetit, ndërsa çdo cenim i saj prek drejtpërdrejt stabilitetin e përgjithshëm dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, sundimin e ligjit, sigurinë dhe sfidat me të cilat përballet rajoni.
Ahmeti nënvizoi se partnerët ndërkombëtarë duhet ta dëgjojnë qartë alarmin për zhvillimet në vend.
“Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy shtyllat mbi të cilat qëndrojnë stabiliteti, demokracia dhe e ardhmja e vendit”, theksoi Ahmeti.(INA)






