Deputetja e VLEN-it thotë se rënia e numrit të nxënësve shqiptarë në Kërçovë është alarm dhe kërkon përgjegjësi për bilancin e qeverisjes.
Deputetja e VLEN-it, Valbona Adili Emini, ka reaguar pas intervistës së Gëzim Ostrenit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është interpretuar historia politike shqiptare ndër vite dhe mbi modelin e qeverisjes që, sipas saj, ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për Kërçovën.
Adili Emini shkruan se historia nuk duhet të shihet vetëm përmes një versioni të përsëritur ndër vite, duke pyetur se sa prej rrëfimeve politike janë histori dhe sa janë “mit politik”.
Ajo e lidh këtë me mënyrën e ushtrimit të pushtetit, duke pretenduar se interesi i qytetarit shpesh është vendosur pas interesit politik, partiak apo personal.
Në fokus të reagimit të saj është Kërçova. Sipas Adili Eminit, qyteti ka humbur ndër vite, ndërsa marrëveshjet politike kanë ndryshuar partnerët, pozicionet dhe kalkulimet.
“Por një gjë mbetej e njëjtë: Kërçova humbiste”, shkruan ajo.
Deputetja thekson veçanërisht rënien e numrit të nxënësve shqiptarë. Sipas saj, nga rreth 400 nxënës shqiptarë në një gjeneratë në vitin 2001, sot numri ka rënë në rreth 140.
“Ky është alarm!”, shprehet Adili Emini, duke shtuar se emigrimi dhe rënia demografike kanë shumë shkaqe, por ata që kanë ushtruar pushtet për dekada duhet të mbajnë përgjegjësi edhe për bilancin e qeverisjes.
Në fund, ajo apelon për një ndryshim të qasjes politike ndaj Kërçovës.
“Kërçova nuk është pronë politike e askujt. Nuk është monedhë për kusuritje dhe as dekor për mitologji politike.
Kërçova u takon kërçovarëve”, shkruan deputetja.
Sipas saj, politika duhet të largohet nga logjika e “Unë”-s dhe të rikthehet te politika e “Ne”-s, duke vendosur qytetarët dhe të ardhmen e qytetit mbi interesat e liderëve dhe partive.






