Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se emrat e diskutuar gjatë takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë në përputhje me parimet e dakorduara më herët për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Pas takimit, Abdixhiku e vlerësoi diskutimin si një hap përpara në procesin e negociatave dhe bëri të ditur se konsultimet do të vazhdojnë.
“Në tërësinë e emrave të prezantuar mund të them se të gjithë, dikush më shumë e dikush më pak, janë në vijë me parimet e dakorduara deri më tani dhe në këtë drejtim, lë të themi se ky është një hap përpara”, deklaroi Abdixhiku.
Ai nuk bëri të ditur emrat konkretë të diskutuar, duke theksuar se palët pritet të takohen përsëri për të vazhduar bisedimet dhe për të arritur një marrëveshje për presidentin e ardhshëm.
“Nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të përzgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Abdixhiku foli edhe për situatën lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke thënë se LDK-ja vazhdon të ketë paqartësi rreth aspekteve kushtetuese të këtij procesi.
Sipas tij, në rrethanat aktuale, LDK-ja mund të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit.
“LDK-ja është garancë institucionale. LDK-ja as nuk e konstituon Kuvendin vetvetiu, as nuk e thërret seancën e Kuvendit. Për LDK-në jemi në paqartësi të thella kushtetuese. Gjëja e vetme që mund ta bëjë është që të jetë e arsyeshme për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK-ja do të vazhdojë të marrë pjesë në negociata duke ruajtur qëndrimet dhe identitetin e saj politik.
“LDK-ja është e LDK-së, mësohuni me një LDK të tillë. Dhe LDK-ja në këto diskutime flet me bindje të plotë për atë që përfaqëson historikisht 37 vjet”, tha Abdixhiku.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut u zhvillua në Kuvendin e Kosovës, ndërsa konsultimet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.






