Komuna e Sopishtës sot ishte nikoqire e iniciativës “Ku zemra është në shtëpi”, në kuadër të së cilës ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, së bashku me zëvendësin e tij, Erxhan Selimi, realizuan një takim pune me kryetarin e Komunës, Stefçe Trpkovski dhe anëtarët e Këshillit komunal.
Gjatë takimit u hapën disa çështje me rëndësi për qytetarët e Sopishtës – komunë e përbërë nga 12 vendbanime me nevoja të ndryshme, por njësoj të rëndësishme. Theksi i veçantë u vu në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë, ndërsa u diskutua edhe për ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, të cilat do të kontribuojnë ndjeshëm në funksionimin më efikas të komunave.
Ministri dhe kryetari theksuan së bashku rëndësinë e bashkëpunimit të koordinuar mes pushtetit qendror dhe atij lokal si një parakusht kyç për zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Të dy ishin dakord se përmes zgjidhjeve efektive, të përshtatura me nevojat reale të banorëve, ndërtohet një bazë e qëndrueshme për një standard më të mirë jetese, dhe kur ka vizion dhe bashkëpunim, rezultatet dhe përparimi janë të pashmangshëm.
Pikërisht me mbështetjen e pushtetit qendror, përmes thirrjes së parë qeveritare për financimin e projekteve infrastrukturore komunale, Komuna e Sopishtës tashmë ka realizuar rikonstruksionin e rrugëve në vendbanimin Varvarë, Sopishtë dhe dy rrugë në Rakotinc, ndërsa në fazën përfundimtare janë edhe rikonstruksionet në rrugët e Sonjes së Poshtme dhe Drzhillovës. Gjatë kësaj jave, Komuna planifikon të dorëzojë pesë aplikime për thirrjen e dytë qeveritare.
Ministri Perinski theksoi se Ministria po punon në mënyrë aktive në themelimin e një Qendre Burimore për mbështetjen e zhvillimit të komunave, një koncept i ri që do të ofrojë mbështetje profesionale, administrative dhe teknike, dhe do të ndihmojë në realizimin më të shpejtë dhe më efikas të projekteve zhvillimore në nivel lokal.
Iniciativa “Ku zemra është në shtëpi” vazhdon të forcojë dialogun mes institucioneve, duke krijuar kushte për komuna moderne, funksionale dhe evropiane – me shërbime më të mira, infrastrukturë më të mirë dhe jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.