17.8 C
Skopje
Monday, November 3, 2025

Ramazani – muaji i agjërimit, faljes, mëshirës së Zotit dhe ripërtëritjes shpirtërore

Të gjitha të mirat e agjërimit të Ramazanit për shëndetin tuaj fizik dhe mendor

Ramazani është muaji më i zgjedhur dhe më i rëndësishmi për të gjithë myslimanët. Muaji në të cilin është urdhëruar agjërimi dhe në të cilin filloi zbritja e Kur’anit të madhërishëm.

Çdo besimtar i sinqertë e pret me gëzim Ramazanin, duke shpresuar në mëshirën dhe faljen e Allahut. Është koha kur zakonet dhe detyrimet tona jetësore ua nënshtrojmë momenteve kur fillojmë agjërimin dhe kur bëjmë iftarin.

Është muaji i sakrificës dhe i përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, për ditë të bardha, të paqta. Është muaji i shenjtë që zbret engjëjt në Tokë për të përhapur mirësinë mes nesh.

Muaji i Ramazanit është gjithashtu një mundësi për të parë “bazat dhe themelet” e praktikës shpirtërore. Mbi të gjitha, është kohë e solidaritetit dhe e ndarjes.

Besimtarët gjatë këtij muaji abstenojnë nga ushqimi, pijet dhe kënaqësitë trupore nga agimi deri në muzg, me shpresën se kjo do të çojë në devotshmëri më të madhe, transmeton Telegrafi.

Po ashtu, në agjërim mishërohen edhe aspektet e tjera, të cilat përfaqësojnë dimensionin shpirtëror, si: humanizmi, bamirësia, solidariteti, urtësia, durimi, bujaria, ndershmëria, mëshira, butësia, falja, pendimi, devotshmëria etj.

Thënia e famshme e Profetit Muhamed: “Agjëroni, që të jeni të shëndetshëm”, nxjerr në pah vlerat kuruese të agjërimit. Fraza “do të jeni të shëndetshëm”, paraqet formën maksimale kurative për agjëruesin, në favor të dy pjesëve përbërëse të njeriut: trupit dhe shpirtit.

Libri i Shenjtë Kurani thotë se Ramazani ka dimension shpirtëror, moral, solidar dhe shëndetësor. Nga agjërimi janë liruar fëmijët, shtatzënat, nënat me foshnja në gji dhe të sëmurët. Ditët e Ramazanit janë gjithashtu specifike në atë që xhamitë janë plot gjatë të pesë namazeve (faljeve), megjithëse ato mund të falen edhe në shtëpi.

Agjërimi njëmujor nuk i liron besimtarët nga obligimet dhe punët e rregullta, por u lejohet t’u përshtaten detyrimeve fetare

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit