Emërtimi i rrugëve të Tetovës do të bëhet me konsensus të gjere si dhe me pëlqim nga anëtarët e komisioneve që të mos dëmtohet aspak interesi i qytetarëve, shkruan Alsat.
Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami ka deklaruar se çdo gjë shkon në bazë të Ligjit dhe kjo punë që nuk është kryer për tash e tredhjet vite, do të merr epilog këtë herë.
Kasami tha se në rrugët e Tetovës ka emra si “Kaukazi” që nuk lidhen aspak as me përbërjen e popullatës këtu, as me palën shqiptare, maqedonase apo të ndonjë komuniteti tjetër.
“Maqedonia e Veriut duhet të ketë emërtim evropian dhe nëse duam ta kemi një orientim evropian dhe të identifikohemi. Ka shumë përcaktime ideologjike të kohës që edhe pse duken maqedonase nuk kanë të bëjnë asgjë me maqedonasen dhe këtë orientim, dhe unë besoj se vetë maqedonasit që janë pjesë e komisionit do kërkojnë t’i ndryshojnë. Pjesa shqiptare e komisionit në asnjë moment nuk do të imponojë emra të cilat kanë të bëjnë me komunitetin maqedonas, ne kemi treguar shenjë vullneti që në këtë proces të ketë edhe emra të komuniteteve të tjera të vogla, turq, romë, e komunitete tjera”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.