19.8 C
Skopje
Wednesday, September 17, 2025

BDI mesazh Gjykatës Kushtetuese: Nëse preket gjuha shqipe nuk mbajmë përgjegjësi për pasojat

Disa ditë para seancës së Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut për shqyrtimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ka ardhur një paralajmërim nga partia më e madhe shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Nëpërmjet një statusi në rrjete sociale BDI –ja ka deklaruar se 11 dhjetori, dita kur do të shprehet Kushtetuesja mund të ndryshojë gjithçka dhe se nuk do te mbajnë përgjegjësi për pasojat.

BDI: Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron këtë moment si një pikë kritike, ku çdo veprim që synon të prishë këtë balancë delikate është kapërcim i Rubikonit. Nëse kjo vijë kalohet, nuk do të ketë më kthim pas! Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shkatërrojë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, pasojat do të jenë të parikuperueshme, dhe ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për atë që mund të pasojë.

BDI i bëri thirrje ndërkombëtarëve të ndërhyjnë që të veprojnë menjëherë në mënyrë që mos të cenohet stabiliteti i vendit dhe rajonit.

BDI: I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të veprojnë menjëherë për të parandaluar këtë akt që rrezikon stabilitetin. Shqiptarët dhe të gjitha komunitetet që besojnë në drejtësi dhe barazi nuk mund të heshtin përballë këtij kërcënimi. Ky nuk është një moment për të qëndruar indiferentë. Ky është një moment për të zgjedhur anën e drejtë të historisë. Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin, por përgjegjësia për pasojat do të jetë mbi ata që kanë zgjedhur ta sfidojnë këtë paqe dhe të rrezikojnë të ardhmen e vendit!

Gjykata Kushtetuese ka bërë me dije se nuk do të komentojë qëndrimet e askujt në lidhje me këtë çështje.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit