LSDM-ja ka mbështetur kërkesat e ushtarëve profesionistë për paga më të larta, siguri në punë dhe trajtim të barabartë gjatë pensionimit, duke paralajmëruar se do të dorëzojë në Parlament një propozim ligjor në përputhje me kërkesat e tyre.
Në kumtesën e saj, partia opozitare e cilëson si të papranueshëm dallimin në pagesat e njëhershme gjatë pensionimit ndërmjet ish-pjesëtarëve të Armatës që janë pensionuar para 14 shkurtit 2024 dhe atyre që janë pensionuar pas kësaj date. “Është e padrejtë që ish-pjesëtarët e Armatës që janë pensionuar para 14 shkurtit 2024 të kenë pagesa dukshëm më të ulëta gjatë pensionimit sesa ata që janë pensionuar pas kësaj date. Mbi çfarë baze njerëzit që për vite i kanë shërbyer shtetit dhe kanë kryer të njëjtën detyrë të vlerësohen ndryshe?”, thuhet në reagim.
Nga LSDM-ja theksojnë se të gjithë ushtarët meritojnë të drejta të barabarta dhe trajtim të drejtë nga shteti. Partia mbështet edhe kërkesën për shndërrimin e marrëdhënies së punës në kohë të pacaktuar pas vitit të pestë, duke iu referuar Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, si dhe kërkesën për rritjen e pagave. “Njerëzit që ruajnë sigurinë e shtetit meritojnë siguri dhe paga dinjitoze”, theksohet në kumtesë.
Partia opozitare akuzon Qeverinë e kryeministrit Hristijan Mickoski se prej dy vjetësh nuk ka rritur pagat në Armatë. “LSDM-ja do të dorëzojë një zgjidhje ligjore në Kuvend, në përputhje me kërkesat e ushtarëve profesionistë, për të garantuar siguri dhe dinjitet për të gjithë ushtarët”, paralajmëron partia.
Në përfundim, LSDM-ja thekson se vendi, si anëtar i NATO-s, duhet të ketë mbrojtje të fortë dhe ushtarë të kënaqur e të motivuar.








