Grafiti “vdekje shqiptarëve” është shkruar në oborrin e shtëpisë së shëndetit në Bujanoc.
Për këtë ka reaguar deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai këtë e ka quajtur “Albanofobi e nxitur”.
“Pas deklaratave të shefit të vartësit të Aleksandar Vuçiqit, Dragan Stevanoviq – Bocke dhe Drejtori i Shërbimit të Trupit koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq të cilët nxituan të gjykojnë protestën e djeshme të shqiptarëve për të drejta e barazi, sot, kemi reagimin e para albanfob në Bujanoc.Në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc është shkruar një mbishkrim “Smrt siptarima” (Vdekje shqiptarëve) deri më tani, nga persona të panjohur”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Ai ka thënë se këta dy zyrtarë shtetërorë, duke sulmuar të drejtën e shqiptarëve për protesta, për libra, për integrim, për njohje të diplomave, për ndalesë të pasivizimit të adresave, për zhvillim ekonomik, kanë nxitur një valë reagimesh antishqiptare, kulmi i së cilës sipas Kamberit u arrit me këtë mbishkrim në institucionin shëndetësor.
“Akoma nuk ka asnjë reagim nga organet e rendit, që është veprim krejt ndryshe nga ai para disa ditëve, kur një komentues shqiptar në Facebook, ishte arrestuar ‘për nxitje të urrejtjes ndërnacionale’ dhe të cilit është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Natyrisht, nxitësit e kësaj albanofobie, Bocke dhe Mitroviq, mbeten të heshtur, sepse, në një shtet ligjor do të ishin të parët ndaj të cilëve do të duhej të ndërmerreshin masa ndëshkuese”, ka shkruar Kamberi.https://www.facebook.com/share/v/FVtKpZYXoJFiBqWg/?mibextid=oFDknk