Në 9 korrik do të mbahet në Uashington një Samit i 32 vendeve aleate të NATO-s, me rastin e 75 vjetorit të krijimit të Aleancës Atlantike. Siç deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg “në Samitin e Uashingtonit, ne do të demonstrojmë edhe një herë unitetin dhe forcën e NATO-s – në mbështetje të Ukrainës dhe për të mbajtur të gjithë njerëzit dhe vlerat tona të sigurta”.
Duke u fokusuar në këto parime bazë, por edhe në mbështetje të Ukrainës në luftën e saj ndaj pushtimit rus, një diplomat i lartë perëndimor në Tiranë komentoi të premten për Javanews një numër problemesh që shqetësojnë paqen e sigurinë në Evropë dhe në Ballkan, por edhe çeshtje të sigurisë globale.
Me siguri, delegacioni shqiptar dhe kryeministri Edi Rama do të japin së bashku me vendet e tjera në Samit, mesazhin e fortë të unitetit dhe vendosmërisë së NATO-s për paqen e sigurinë në hapësirën atlantike, si dhe mbështetjen maksimale për Ukrainën, e cila përballet me pushtimin e egër rus. “Aleanca Atlantike përbën sot më shumë se kurrë një garanci unike për popujt e Evropës, në momentin kur sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar konfliktin më të madh të armatosur në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore, tha diplomati.
Në muajin prill, komandati i forcave aleate të NATO-s për Europën, gjenerali Christopher Cavoli, mbajti një fjalim në Senatin amerikan. Në fjalën e tij gjenerali Cavoli u shpreh ndër të tjera se “Rusia po zhvillon një luftë në stil të gjerë në Evropë dhe nuk po jep sinjale se do të ndalet. Kjo paraqet potencialin real për përshkallëzimin e situatës në një luftë më të gjerë, dhe është shkak për shqetësim të rëndësishëm strategjik për Shtetet e Bashkuara. Kur shikojmë se pushtimit të paligjshëm dhe brutal të Ukrainës nga Rusia, i bashkangjitet ringritja me shpejtësi e ushtrisë ruse, kur vërejmë thellimin e lidhjeve të Rusisë me Republikën Popullore të Kinës, Republikën Islamike të Iranit dhe Republikën Popullore Demokratike të Koresë, kur shohim gjithashtu makinacionet dhe ndikimin keqdashës të Rusisë në Ballkan dhe zona të tjera të ndjeshme por dhe përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të minuar kohezionin mes aleatëve perëndimorë, ndikimin global të SHBA-së dhe vlerat e Perëndimit – ne shohim një kërcënim kronik dhe në rritje për interesat amerikane dhe për sigurinë kolektive të 24 vendeve aleate të NATO-s, si dhe për të gjitha vendet e zonës euroatlantike”.
Diplomati perëndimor në Tiranë u shpreh se në këto kushte NATO është një garanci jetike për shqiptarët dhe të gjithë rajonin, në kushtet kur ka një tendencë të dukshme nga ana e Rusisë për të shkaktuar tension dhe kaos në Ballkan.
Të ndërgjegjshëm për rëndësinë e mbështetjes për Ukrainën, Perëndimi ka miratuar herë pas here paketa ndihme domethënëse për vendin që përballet me pushtimin rus. Teksa ushtria ruse është zmadhuar me 15% të saj, që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, Perëndimi ka reaguar. Bashkimi Europian ka ofruar rreth 155 miliardë dollarë për Ukrainën për rindërtim, modernizim, përfshi 54 miliardë në shkurt të këtij viti. Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar me ndihma për Ukrainën dhe paketa më e fundit e miratuar në Kongresin e SHBA, shkon 61 miliardë dollarë. Pa përmendur ndihmat konkrete të secilit vend anëtar të NATO-s dhe BE-së, përfshi këtu edhe kontributet e Shqipërisë, sado modeste.





