Deklaratat e Gordana Siljanovska Davkovës e përkrahur nga partia e djathtë maqedonase, VMRO-DPMNE që pret të marrë mandatin e presidentes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, mund të vënë në pikëpyetje relacionet ndër-shtetërore me fqinjët, ndaj paraqitja e saj gjatë betimit, do të përcillet me një kujdes të veçantë nga mediat greke, posaçërisht në pjesën e përdorimit të emrit zyrtar të vendit, thuhet në një raportim nga Deutsche Welle, transmeton Portalb.mk.
Një fjalë mund të ndryshojë gjithçka. Mospërdorimi i përckatimit gjeografik “e Veriut”, pra emri i ri kushtetues i shtetit, mund të ndryshojë marrëdhëniet midis Shkupit dhe Athinës, dhe Sofja mund të përfitojë prej rastit, duke bërë të ditur se nuk është e vetmja që nuk mund të shkojë mirë me Maqedoninë e Veriut.
Paraqitja publike e parë e presidentes së ardhshme do të përcaktojë marrëdhëniet mes Athinës dhe Shkupit, përkatësisht do të jetë deklarata solemne më 12 maj, gjatë inaugurimit të saj, akt që Greqia do ta ndjekë me vëmendje.
“Duke pasur parasysh se Kushtetuta në Maqedoninë e Veriut nuk parasheh shtimin e kompetencave të presidentit, në rrethana normale betimi të dielën nuk do të ishte gjë tjetër veçse një procedurë formale dhe ndoshta e mërzitshme”, shkruan njohësi i marrëdhënieve greko-maqedonase, Stavros Simas, në një analizë për gazetën greke “Kathimerini”.
Në këtë rast, megjithatë, nuk do të jetë kështu.
“Por tani është interesante se në cilin vend do të bëjë betimin Siljanovska: në Maqedoninë e Veriut, siç parashikohet me Kushtetutë me Marrëveshjen e Prespës, apo në shtetin inekzistent “Republika e Maqedonisë”, nën flamurin e së cilës ajo vetë u ngjit drejtë detyrës…Nëse dita e mirë shihet në mëngjes, të dielën, me inaugurimin e presidentes, do të shihet nëse marrëdhëniet me Athinën do të vazhdojnë të ecin në në mënyrë të duhur, apo do të fillojë një periudhë e re trazirash, Shkupi do të hap një front të ri me Greqinë, në momentin kur mosmarrëveshjet me Bullgarinë e kërcënojnë perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në analizë.
Davkova: A ekziston diku në Greqi, Maqedoni e Veriut?
Davkova në disa raste ka deklaruar se nuk do ta përdorë përcaktimin gjeografik “e Veriut”, duke sqaruar se kjo nuk do të thotë se do të heqë tabelat apo mbishkrimet me atë emër.
“Kur thash që nuk do ta përdori termin “e Veriut”, nuk e kisha fjalën se do të hiqja tabelat para institucioneve, në konferenca ndërkombëtare apo në takime dypalëshe e kështu me radhë. Larg kësaj”, tha Siljanovska në një duel para rethit të dytë presidencial.
“Unë flas për veten time. Kush nuk e di atë, që e drejta për vetëvendosje është e drejtë personale, dhe se askush nuk duhet t’ju urdhërojë të përdorni diçka që nuk ua pranon mendja dhe zemra. Do ta respektoj, por nuk do ta përdor “e Veriut”. Unë do ta përdor Maqedonia dhe kurrë nuk do të krijoj konfuzion sepse nuk do të më duhet të bëj dallime në mes të Republikës së Maqedonisë së Jugut. Nuk ka një të tillë. Pra, kur të flas, do të them Maqedoni, maqedonase, e Maqedonisë… Le të më qëndrojë përballë “Maqedonia e Veriut”. Por unë flas për veten time, ajo çështje nuk do të mbyllet kurrë”, tha Siljanovska.
Pyetjes, sikur të marrë një notë diplomatike nga Greqia për këtë arsye, ajo u përgjigj se askush nuk mund t’i thotë se çfarë do të përdorë personalisht.
“Notë nuk mundet për qëndrimet personale, të drejtën e mendimit dhe shprehjen e lirë të mendimit, që nga Sokrati e deri më sot… Dhe Greqia le të bëjë diçka për të zbatuar Marrëveshjen e Prespës, memorandumet, ndaj le të shkruhet diku… A shkruhet diku në Greqi, Maqedonia e Veriut, mund t’ju pyes? Askund”, tha Siljanovska në TV Telma.
Sipas një analize në Kathimerini, një gazetë që konsiderohet e afërt me Demokracinë e Re në pushtet, Athina nuk do të tolerojë truket për mospërdorimin e emrit kushtetues nga fqinji i saj verior.
“Pala greke megjithatë duket e vendosur të mos tolerojë një operacion de facto të moszbatimit të marrëveshjes në vend me truket e lidershipit të ri. Aktualisht, Greqia dhe Bullgaria janë në një qëndrim pritës dhe janë në pritje të mesazheve të realitetit të ri në Shkup, si dhe të faktorit aleat, pra amerikanëve dhe evropianëve”, thuhet në analizën e “Kathimerini”.
Aty kujtohet reagimi i parë në qarqet e MPJ-së greke, ku jozyrtarisht theksohej se lidershipi i ri në Shkup “ka obligim të respektojë përpiktë Marrëveshjen e Prespës, e cila është një marrëveshje ndërkombëtare që krijon detyrime për shtetin fqinj dhe është parakusht për rrugëtimin e saj evropian.” Vendosen në pah dhe deklaratat e fundit të kryeministrit bullgar në detyrë, Dimitar Glavçev, se Bullgaria nuk do të devijojë nga kërkesat e mëparshme, si dhe të presidentit Rumen Radev, se shpejt do të bëhet e qartë nëse presidentja e re dhe partia fituese e zgjedhjeve në RMV do të punojnë për rrugën evropiane të vendit ose do të kthehen në një drejtim tjetër.
Më 8 maj u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, në të cilën Gordana Siljanovska – Davkova fitoi bindshëm në garën për presidente, ndërkaq partia e cila e mbështeti atë, VMRO-DPMNE, shënoi fitore në garën parlamentare.