Detaje të reja dalin në dritë lidhur me sulmin fizik ndaj dy punonjësve shqiptarë të ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale” në Shkup, të ndodhur natën e 28 Nëntorit.
Sipas informacioneve që ka shpërndarë zv/ministri i Punëve të Brendshme, policia ka identifikuar dhe privuar nga liria të dyshuarin e parë për këtë sulm, njofton Ora24.tv.
Bëhet fjalë për djalin e Boris Kondarkos, ish-deputet i LSDM-së dhe kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Sipas të njëjtave informacione, në lidhje me rastin në polici është thirrur edhe vetë Kondarko.
Ndërkohë, organet e rendit po vazhdojnë hetimet intensive për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në sulmin ndaj dy punonjësve shqiptarë.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka bërë të ditur se ekzistojnë dyshime serioze se sulmi mund të ketë pasur motive etnike.
Pritet që MPB-ja të dalë me informacione të mëtejshme zyrtare lidhur me rastin, ndërsa përgjegjësia penale e të dyshuarve mbetet për t’u përcaktuar nga organet kompetente./Ora24.tv








