Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, 12 vite pritje për objektin e ri

Advertisement

Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës që po ndërtohen për më shumë se një dekadë, nuk mund të ndahen si ndërtime të veçanta për dyja Institucionet veçmas. Ministri i Kulturës Sedat Sulejmani tha për Alsat se në aspektin ligjor dhe teknik një ndarje e tillë është e pamundur.

“Unë kam pasur takim edhe me kryeministrin dhe e kemi biseduar këtë punë dhe ka shpreh dëshirë edhe ai që në rast të ekzistimit të ndonjë mënyre ligjore apo teknike ta ndajmë si projekt pjesën e bibliotekës sepse e njëjta është gati 80 për qind, por nuk ekziston ajo mundësi”, tha Sedat Sulejmani, Ministër i Kulturës.

Sulejmani tha se sipas dinamikës së parashikuar, objekti do të jetë gati për dy vjet

“Punimet do të përshpejtohen që së paku ajo pjesë që ka mbet pa u përfunduar, gjatë mandatit nëse do kemi fat ta presim edhe shiritin e objektit të ri. Në aspekt teknik dy vite do na duhen, pra më vjen keq që Teatri dhe Biblioteka ka filluar para 12 viteve me ndërtim pra një kohë e gjatë, dhe ka vazhduar siç ka vazhduar por me një strukturë të re, kam shpresa të mëdha se brenda dy viteve kjo do përfundojë”, shtoi Sedat Sulejmani, Ministër i Kulturës.

Drejtori i Bibliotekës së Tetovës Binas Pajaziti tha se punimet e objektit të ri të Institucionit që ai drejton mbi 80 % janë gati, por është viktimë e vonesave që bëhen tek ndërtimi i objektit të ri të Teatrit.

“Sikur nga fillimi të ishte bë ndaras si tenderim besoj që shumë vite më parë, Biblioteka do ishte në hapsirat e reja, por pse është bë kështu janë çështje që si dimë. Absurdi tjetër është se ndërtohet teatër dhe bibliotekë ndërsa bartës është pallati i kulturës, pra as teatri e as biblioteka nuk kanë qasje as në informacione as në tenderim dhe as nuk jemi pjesë e ndonjë bordi mbykëqyrës, andaj dhe kam kërkuar që me vendim qeverie të ndahet pjesa e bibliotekës prej teatrit”, u shpreh Binas Pajaziti, Drejtor i Bibliotekës së Tetovës.

Për vite të tëra, biblioteka e Tetovës është duke funksionuar pa kushte elementare dhe pa leximore, gjë kjo që i vështirëson kushtet e funksionimit, e sidomos tani që edhe është ngritur në bibliotekë universitare, ku edhe do duhet të shtohet numri i titujve të librave edhe me ato shkencor.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit