Blerjet online gjatë “Black Friday” në SHBA arritën në 13,1 miliardë dollarë

Advertisement

Konsumatorët amerikanë shpenzuan gjithsej 13,1 miliardë dollarë për blerje online gjatë Black Friday, një shumë që është 11,1% më e lartë krahasuar me shpenzimet e vitit të kaluar. Rritja u ndikua kryesisht nga blerjet e pajisjeve elektronike dhe lodrave, sipas të dhënave të Adobe Analytics.

Kjo shifër tejkaloi lehtësisht parashikimin fillestar të Adobe, i cili vlerësonte se shpenzimet do të arrinin në rreth 12,9 miliardë dollarë. Gjatë kësaj periudhe, shitësit me pakicë ofruan ulje çmimesh për veshjet dhe pajisjet elektroshtëpiake, në përpjekje për të tërhequr konsumatorët amerikanë, të cilët po përballen me presionin e inflacionit dhe çmimet e larta të karburanteve.

Këtë vit, periudha e festave pritet të karakterizohet nga përpjekjet e konsumatorëve për të shfrytëzuar sa më mirë buxhetin e tyre, duke kërkuar oferta dhe duke përdorur inteligjencën artificiale për të krahasuar me kujdes çmimet.

Konsumatorët po i drejtohen gjithashtu gjithnjë e më shumë opsionit “Bli tani, paguaj më vonë” (Buy Now, Pay Later), i cili pritet të kontribuojë me 1,09 miliardë dollarë në shpenzimet online gjatë Cyber Monday. Kjo përfaqëson një rritje prej 5,3% krahasuar me vitin e kaluar, sipas parashikimeve paraprake të Adobe Analytics.

Sipas raportit të Adobe, gjatë Black Friday interesin më të madh e patën videolojërat dhe produktet elektronike. Ndërkohë, konsumatorët shfrytëzuan ofertat edhe për të blerë produkte të nevojës së përditshme, si detergjentë dhe artikuj për pastrimin e shtëpisë, produkte për kafshët shtëpiake dhe artikuj të higjienës personale. /Panorama

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit