Katër persona të maskuar dhe në mes të ditës janë futur në një argjendari në Kumanovë dhe kanë grabitur një vlerë të madhe të arit.
Personat ishin të maskuar dhe të organizuar. Vjedhja ka ndodhur në ora 13:24 minuta sipas orës që tregon kamera e sigurisë, por burime të Alsat bëjnë të ditur se vjedhja ka ndodhur në orë 12:24 minuta, pasi në kamerat e sigurisë akoma rezulton matja e kohës verore.
Deri tani nuk dihet vlera e dëmit të shkaktuar. Policia ka hapur hetim në disa pista. Ajo që dihet është se personat kanë ardhur me dy automjete, në fakt një makinë dhe një furgon. Furgoni i bardhë i llojit Iveco mësohet të ketë pasur targa doganuese të Gjermanisë dhe një Audi e kaltër me targa të Kosovës, përkatësisht targa 06 të qytetit të Gjilanit. Nga pista e hetimit mësohet se automjetet kanë ardhur nga Shkupi, përmes Haraçinës nga rruga e vjetër dhe janë kthyer në të njëjtin drejtim.
Në vendin e ngjarjes janë policia dhe Prokuroria Publike ndërsa pas vlerësimit që do të bëhet në prezencë të pronarit të argjendarisë, do të dihet vlera e dëmit./Alsat.mk








