Ministria e Punëve të Brendshme njofton se ka zbardhur vrasjen e ndodhur më 21 nëntor pranë Liqenit të Smillkovës në Shkup, ndërsa ka arrestuar një person 38-vjeçar me inicialet B.J.
Sipas MPB-së, viktima ishte Sh.E. (38) nga fshati Lubin i Shkupit, i cili ishte gjetur pa shenja jete në unazën “Nëna Terezë”, në afërsi të fshatit Smillkovë. Në trupin e tij ishte vërejtur një plagë nga arma e zjarrit në pjesën e këmbës, ndërsa pranë tij ishte gjetur edhe automjeti i tipit “Mercedes”.
Pas masave operative dhe hetimeve, policia ka arrestuar të dyshuarin më 26 nëntor. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka sqaruar mënyrën e kryerjes së veprës penale.
MPB bën të ditur se më 27 nëntor, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, ndaj 38-vjeçarit është ngritur kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar për veprën penale “Vrasje”, sipas nenit 123 të Kodit Penal.








