*!*
Përfaqësuesi i Lëvizjes Arbëria, Bekim Fazliu, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së fundit të BDI-së për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe duke rikujtuar se partia e Ali Ahmetit gjatë më shumë se 20 viteve në pushtet, nuk arriti ta zgjidhë këtë çështje.
Fazliu ironizon me kryetarin e BDI-së, duke rikujtuar përgjimet e publikuara ku sipas tij, Ali Ahmeti ishte i interesuar për mënyrat e shmangies së dënimeve për vrasje, por në asnjë moment nuk dëgjohet të ketë pyetur për provimin e jurisprudencës në shqip.
Ai thekson se BDI-ja kishte tetë ministra shqiptarë të Drejtësisë dhe të gjitha mundësitë institucionale për ta zgjidhur këtë çështje, por nuk e bëri një gjë të tillë.
“PO, SIGURISHT QË DUHET TË JEPET TËRËSISHT NË SHQIP! Por kur kjo kërkesë vjen nga ju, mbarë, or taj!”, ironizon Fazliu.
Në reagimin e tij, ai kërkon nga ish funksionarët e BDI-së që, para se të dërgojnë letra dhe kërkesa për zgjidhjen e kësaj çështjeje, të bëjnë autokritikë për dështimin e tyre gjatë dy dekadave në pushtet.
Fazliu e përmbyll reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë për BDI-në:
“Jazëk na qoftë që për 20 vite në pushtet as që menduam ta bënim provimin e jurisprudencës në shqip!”








