Me rastin e 20 Nëntorit, Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve, Bursa e Maqedonisë simbolikisht ra kambanën në mbështetje të të drejtave të më të vegjëlve, duke përcjellë mesazhin se kujdesi për fëmijët duhet të jetë pjesë e çdo vendimi të rëndësishëm shoqëror dhe ekonomik.
UNICEF paralajmëron se më pak se gjysma e fëmijëve deri në moshën gjashtëvjeçare në Maqedoninë e Veriut janë të përfshirë në arsimin parashkollor. Veçanërisht të prekur janë fëmijët që vijnë nga familje dhe komunitete në kushte të pafavorshme.
Në aktivitetin me moton „Biem kambanën për fëmijët“, të organizuar nga UNICEF dhe Bursa e Maqedonisë, përfaqësues të institucioneve, sektorit civil dhe komunitetit të biznesit diskutuan për nevojën e investimeve më të mëdha në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, arsimimin dhe kujdesin ndaj tyre.
Për të arritur objektivin kombëtar prej 65 për qind të përfshirjes së fëmijëve në arsimin parashkollor deri në vitin 2032, nevojiten edhe 19 mijë vende shtesë në çerdhe.
UNICEF thekson se kjo kërkon investime të vazhdueshme publike, modele të reja financimi dhe bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat. Megjithatë, nuk mjafton vetëm rritja e numrit të vendeve në çerdhe, por shërbimet duhet të jenë cilësore, financiarisht të përballueshme dhe gjithëpërfshirëse.
„Në kushtet kur numri i fëmijëve po zvogëlohet, potenciali i secilit fëmijë është më i rëndësishëm se kurrë“, deklaroi përfaqësuesja e UNICEF-it, Leslie Miller, duke theksuar se investimi në vitet e para sjell përfitime jo vetëm për fëmijët, por edhe për familjet, gratë, bizneset dhe të gjithë shoqërinë.
Në aktivitet morën pjesë edhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, si dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Ata theksuan rëndësinë e zgjerimit të qasjes në kujdes dhe arsim parashkollor cilësor. Janevska nënvizoi se të drejtat dhe nevojat e fëmijëve duhet të jenë pjesë e të gjitha vendimeve shoqërore, përfshirë edhe ato të biznesit dhe investimeve.








