Çmimi mesatar i energjisë elektrike në bursën hungareze HUPEX, në periudhën nga 8 deri më 17 nëntor, është rritur për 12,1 për qind krahasuar me mesataren e muajit tetor. Këto lëvizje në tregjet rajonale mund të krijojnë presion shtesë edhe mbi çmimin e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut.
Çmimi më i lartë ditor gjatë kësaj periudhe është regjistruar më 10 nëntor, kur arriti në 400,29 euro për megavat-orë. Në tregun maqedonas MEMO, po atë ditë, çmimi ishte rreth 349 euro për megavat-orë.
Çmimet e larta janë regjistruar edhe në Rumani, Bullgari dhe Serbi, gjë që tregon se rritja e kostove të furnizimit me energji elektrike është një sfidë më e gjerë rajonale.
Edhe pse këto ndryshime nuk nënkuptojnë automatikisht shtrenjtim për amvisëritë, nëse çmimet e larta në bursë vazhdojnë për një periudhë më të gjatë, mund të rriten kostot e furnizuesve dhe të krijohet presion mbi llogaritjet e ardhshme rregullatore.
Sipas të dhënave të Eurostatit për gjysmën e parë të vitit 2026, amvisëritë në Maqedoninë e Veriut kanë paguar mesatarisht 11,68 euro për 100 kilovat-orë, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian ka qenë 28,32 euro. Kjo do të thotë se çmimi në vend ka qenë pothuajse 59 për qind më i ulët se mesatarja evropiane.
Çmimi përfundimtar i energjisë elektrike për amvisëritë në Maqedoninë e Veriut përcaktohet përmes procedurës së rregulluar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Për qytetarët mbetet e paqartë nëse rritja e vazhdueshme e çmimeve në bursë do të reflektohet edhe në faturat e energjisë elektrike.









