Ukraina po përballet me një krizë gjithnjë e më të rëndë energjetike, ndërsa sulmet ruse ndaj centraleve, nënstacioneve dhe linjave të transmetimit po lënë qindra mijëra qytetarë pa energji elektrike. Në Kiev, disa familje përballen me ndërprerje që zgjasin deri në 20 orë në ditë, ndërsa temperaturat po bien dhe dimri sapo ka nisur.
Një reportazh i BBC-së zbulon përmasat e krizës, që po e bën gjithnjë e më të vështirë jetesën e përditshme në kryeqytetin ukrainas.
Vetëm 4 orë energji në ditë, familjet jetojnë në errësirë
Daryna Kulchytska, një nënë që rrit e vetme dy fëmijët e saj në një apartament në katin e shtatë të një pallati në Kiev, duhet të organizojë gjithë jetën familjare sipas orareve të ndërprerjes së energjisë.
“Ditët e fundit kemi pasur energji vetëm katër ose pesë orë, por jo në të njëjtat orare. Për dy orë kemi energji, pastaj për tetë orë nuk kemi”, tregon ajo për BBC.
Kur ndërpritet energjia, familja mbetet jo vetëm pa ndriçim dhe internet, por edhe pa ujë, pasi pompat elektrike nuk mund ta furnizojnë apartamentin.
Ashensori ndalon së funksionuari, ndërsa ngrohja bëhet gjithnjë e më problematike.
Djali i saj 12-vjeçar, Kyryll, e përshkruan situatën me fjalë të thjeshta:
“Nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka ngrohje, nuk ka energji elektrike. Dhe nuk ka as argëtim.”
Familja kalon mbrëmjet me elektrikë dore, qirinj LED dhe lojëra tavoline, ndërsa përpiqet të përballojë të ftohtin.
Centrali i madh energjetik shkatërrohet nga raketat ruse
BBC ka vizituar një prej centraleve më të mëdha të Ukrainës, i cili është nxjerrë plotësisht jashtë funksionit pas një sulmi të fundit me raketa balistike.
Për arsye sigurie, vendndodhja dhe emri i centralit nuk janë bërë publike.
Pajisjet e shkatërruara, turbinat e mbuluara nga rrënojat dhe tubacionet e dëmtuara dëshmojnë përmasat e goditjes.
Volodymyr Kovalenko, punonjës prej 25 vitesh në këtë central, ndodhej në dhomën e kontrollit kur raketat goditën objektin në orën 03:00 të mëngjesit.
“Ishte një sulm shumë i fuqishëm. Nuk kishim përjetuar kurrë diçka të tillë”, rrëfen ai.
Puna për rindërtimin po pengohet vazhdimisht nga alarmet ajrore.
Gjatë vizitës katërorëshe të gazetarëve të BBC-së, sirenat u aktivizuan shtatë herë. Në një rast, një raketë lundruese u interceptua vetëm pesë kilometra larg centralit.
Riparimet mund të zgjasin deri në verën e ardhshme
Drejtori ekzekutiv i DTEK, kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë, Maxim Timchenko, paralajmëron se sulmet ruse janë bërë më intensive dhe më shkatërruese.
Sipas tij, ndryshimi nga viti i kaluar qëndron te përmasat e goditjeve dhe llojet e armëve të përdorura.
Ai thotë se rindërtimi i centralit të dëmtuar do të kërkojë të paktën deri në verën e ardhshme.
Punonjësit e energjisë, të detyruar të strehohen vazhdimisht për shkak të sulmeve, arrijnë të kryejnë vetëm një ose dy orë punë efektive në ditë.
Që prej gushtit, objektet energjetike ukrainase janë sulmuar pothuajse çdo ditë, ndërsa punonjës të sektorit kanë humbur jetën gjatë këtyre goditjeve.
Zelensky: Kemi energji të mjaftueshme, por nuk arrijmë ta shpërndajmë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se vendi vazhdon të ketë kapacitete të mjaftueshme prodhuese për të mbuluar kërkesën për energji elektrike.
Megjithatë, problemi kryesor është transportimi i saj drejt banesave dhe bizneseve, për shkak të dëmtimeve të shumta të linjave dhe nënstacioneve.
Sipas Zelenskyt, Rusia po përdor edhe dronë që qëndrojnë të fshehur në shtyllat dhe kabllot elektrike, përpara se të aktivizohen për të shkaktuar shpërthime.
Situata ka ndikuar edhe në transportin publik të Kievit, ku trenat e metrosë dhe trolejbusët janë detyruar herë pas here të ndalojnë.
Autoritetet shqetësohen se jeta mund të bëhet e papërballueshme për miliona ukrainas nëse furnizimi me energji nuk mund të garantohet për të paktën katër orë në ditë.
“Më mirë pa energji sesa me rusët”
Përballë rrezikut të një dimri të gjatë dhe të ftohtë, shumë banorë po mendojnë të largohen nga Kievi apo edhe nga Ukraina.
Daryna pranon se po shqyrton mundësinë e zhvendosjes në një vend më të sigurt dhe më të ngrohtë, por e ka të vështirë të largohet nga shtëpia dhe njerëzit e afërt.
Ajo tregon se pasiguria e vazhdueshme po ndikon rëndë edhe te fëmijët, veçanërisht te vajza e saj Olena, e cila përjeton makthe.
Megjithatë, pavarësisht errësirës dhe të ftohtit, ajo nuk pranon të dorëzohet.
“Nuk dua të jetoj pa drita. Por njerëzit në Ukrainë thonë: mirë, pa drita, por edhe pa rusët. Kemi frikë, kemi shumë frikë. Por më mirë të jemi pa energji sesa me rusët”, shprehet ajo.
Kriza energjetike po thellohet ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës, me përfaqësues amerikanë që zhvillojnë takime me udhëheqësit rusë dhe ukrainas.








