Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), me projektin “Qyteti i Sigurt”, ka fituar vendin e parë në kategorinë “Ekselencë në sigurinë rrugore” në Samitin Botëror të Policisë në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, duke lënë pas institucione nga Singapori, Abu Dabi, Dubai dhe India.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për media, ku prezantoi edhe rezultatet e zbatimit të sistemit për kontrollin e komunikacionit.
Sipas Toshkovskit, në garë për çmimet ndërkombëtare kanë qenë mbi 700 nominime nga më shumë se 60 shtete, në gjithsej 13 kategori. Projekti i Maqedonisë së Veriut është përzgjedhur si më i miri në konkurrencë me Policinë e Singaporit, Policinë e Abu Dabit, Autoritetin për Rrugë dhe Transport të Dubait dhe Policinë e shtetit indian Maharashtra.
“Kur filluam me ‘Qytetin e Sigurt’, shumë dyshonin se sistemi për të cilin flitej prej vitesh do të funksiononte më në fund. Sot kam nderin t’ju njoftoj se Maqedonia ka fituar vendin e parë në kategorinë për siguri në komunikacion në Samitin Botëror të Policisë në Dubai”, deklaroi Toshkovski.
32 viktima më pak në komunikacion krahasuar me vitin e kaluar
Sipas të dhënave të prezantuara nga MPB-ja, gjatë periudhës janar–tetor 2026, në rrugët e Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën 85 persona, krahasuar me 117 në periudhën e njëjtë të vitit 2025 dhe 119 në vitin 2024.
Kjo paraqet 32 viktima më pak, apo ulje prej 27,4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkohë, numri i personave të lënduar rëndë ka rënë nga 872 në 748, përkatësisht 124 persona më pak, apo ulje prej 14,2 për qind.
Veçanërisht domethënëse, sipas ministrit, është periudha shkurt–tetor, që përkon me fillimin e zbatimit të sistemit “Qyteti i Sigurt”. Gjatë kësaj periudhe, numri i viktimave është ulur nga 108 në 74, që nënkupton 34 viktima më pak, ose ulje prej 31,5 për qind.
Toshkovski theksoi se këto rezultate janë arritur përmes funksionimit të sistemit “Qyteti i Sigurt”, kontrolleve të shtuara policore, ndryshimeve ligjore dhe aktiviteteve parandaluese.
“Suksesin nuk e masim me numrin e gjobave të arkëtuara, por me uljen e vozitjes së rrezikshme dhe pasojave të rënda”, deklaroi ministri.
Mbi 2.100 viktima në 15 vitet e fundit
Toshkovski rikujtoi se gjatë 15 viteve të fundit, në rrugët e Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën 2.131 persona, duke theksuar nevojën për masa të vazhdueshme dhe sistematike për përmirësimin e sigurisë rrugore.
Ai paralajmëroi zgjerimin e sistemit “Qyteti i Sigurt” në lokacione të tjera me rrezikshmëri të lartë, si dhe përmirësimin e teknologjisë për identifikimin e sjelljeve të rrezikshme në komunikacion.
Si objektiv afatgjatë, MPB-ja synon realizimin e konceptit “Vizioni Zero”, që nënkupton komunikacion pa viktima dhe pa persona të lënduar rëndë.
“Çmimi është mirënjohje për punën e përfunduar, por përgjegjësia për atë që ende nuk është mirë mbetet vetëm e jona. Derisa ekziston qoftë edhe një fëmijë që nuk mund ta kalojë rrugën në mënyrë të sigurt, puna jonë nuk ka përfunduar”, porositi Toshkovski.
Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimit është paraparë të mbahet më 18 nëntor 2026, në Dubai.
Ora24.tv








