Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, vlerëson se disa cikle zgjedhore radhazi, në të cilat parlamenti do ta përfundonte mandatin e plotë katërvjeçar, do të kontribuonin në stabilitetin politik të vendit.
I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Gashi tha se ato mund t’i konvenojnë VLEN-it, pasi sipas vlerësimeve të tij, nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, koalicioni do të fitonte më shumë deputetë sesa BDI-ja.
Megjithatë, ai theksoi se interesi për stabilitet politik kërkon që zgjedhjet të mbahen në afatet e rregullta dhe që institucionet ta përfundojnë mandatin e tyre.
Në intervistën për emisionin “360 Gradë” në MRT 1, Gashi foli edhe për ndryshimet në Ligjin për Prokurimet Publike, për të cilat janë dorëzuar 2.158 amendamente.
Ai vlerësoi se partitë duhet të ulen në bisedime për të gjetur një zgjidhje, duke theksuar se Kuvendi është vendi ku duhet të zhvillohet dialogu parlamentar.
Ndryshimet parashohin që gjatë përzgjedhjes së ofertës më të mirë, përveç çmimit, të vlerësohet edhe cilësia. Gashi mohoi se shumica parlamentare ka për qëllim të imponojë ndryshimet pa debat.








