Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka sollën koncertin “Melodi pa moshë”, një udhëtim mes këngëve më të dashura shqiptare dhe botërore. Muzika, emocionet dhe vallëzimi u ndërthurën në një mbrëmje artistike që riktheu meloditë e paharrueshme të disa brezave.
Tingujt e muzikës shqiptare dhe meloditë e njohura botërore u bashkuan në koncertin “Melodi pa moshë”, duke sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit një udhëtim muzikor mes brezash.
Tenorët Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka ishin protagonistët e kësaj mbrëmjeje, ku këngët e dashurisë dhe meloditë e paharrueshme zunë vendin kryesor.
Nga perlat e muzikës së lehtë shqiptare te sukseset ndërkombëtare, repertori solli këngë që kanë shoqëruar breza të tërë dhe që vazhdojnë të përcjellin të njëjtat emocione.
E ftuar speciale ishte sopranoja Eva Golemi, ndërsa interpretimet vokale u ndërthurën me elemente koreografike, mes tyre edhe tangoja, duke i dhënë mbrëmjes një tjetër dimension artistik.
“Melodi pa moshë” u konceptua si një udhëtim mes kujtimeve, dashurisë dhe emocioneve që muzika përcjell përtej kohës.
Përmes interpretimeve të tre artistëve, këngët e njohura erdhën në një atmosferë të veçantë, duke dëshmuar se meloditë që mbeten në kujtesën e publikut nuk njohin moshë.








