30 vite nga filmi “Matilda”, aktorët ribashkohen në një event special

Advertisement

Kanë kaluar 30 vite nga publikimi i filmit të njohur “Matilda”, por kujtimet e kësaj historie duket se mbeten ende të gjalla për aktorët dhe fansat e saj. Me rastin e përvjetorit të filmit, disa prej protagonistëve u ribashkuan në një event të veçantë të organizuar në Royal Albert Hall në Londër.

Filmi, i publikuar në vitin 1996, u bazua në librin me të njëjtin emër të shkrimtarit Roald Dahl. Rolin e vogëlushes Matilda Wormwood e interpretoi Mara Wilson, ndërsa në kastin e filmit ishte edhe Pam Ferris. Danny DeVito jo vetëm që drejtoi filmin, por interpretoi edhe rolin e babait të Matildës, Harry Wormwood.

Për të shënuar 30-vjetorin e premierës, Danny DeVito bashkëpunoi me kompozitorin David Newman për një shfaqje të veçantë muzikore. Orkestra Royal Philharmonic Concert Orchestra interpretoi kolonën zanore të filmit, ndërsa historia u rrëfye drejtpërdrejt për publikun.

Gjatë eventit, DeVito zbuloi se disa prej aktorëve të kastit origjinal do të ngjiteshin në skenë. E para u shfaq Mara Wilson, e cila sot është 39 vjeçe. Më pas u bashkua edhe Pam Ferris, tashmë 78 vjeçe, e cila në film interpretoi drejtoreshën e rreptë të shkollës, zonjushë Trunchbull.

Në skenë u shfaqën gjithashtu Kiami Davael, Jacqueline Steiger dhe Kira Spencer Hesser, të cilat luajtën përkatësisht shoqet e Matildës, Lavender, Amanda dhe Hortensia.

Mara Wilson ndau në Instagram një fotografi nga ribashkimi, duke shprehur emocionet për këtë takim të veçantë.

“Festimi i 30-vjetorit të Matildës në Royal Albert Hall në Londër. Pesë mijë fansa të Matildës. Ende nuk mund ta besoj. Çfarë gëzimi të festoj me njerëz që kanë kaq shumë rëndësi për mua dhe me të cilët ndaj kaq shumë kujtime të mrekullueshme. Jackie, Kiami, Pam, Kira, David Newman dhe sigurisht, xhaxha Danny, ju dua të gjithëve”, shkroi aktorja.

Megjithatë, në këtë ribashkim munguan Embeth Davidtz, e cila interpretoi zonjushë Honey, si dhe Rhea Perlman, që luajti nënën e Matildës.

Ndërkohë, gjatë verës së kaluar, Mara Wilson foli edhe për mundësinë e realizimit të një filmi të dytë, si vazhdim i “Matilda”. Gjatë një aktiviteti në Fanboy Expo në Knoxville, Tennessee, aktorja u shpreh se ideja nuk është e pamundur.

“Njerëzit më pyesin vazhdimisht për ‘Matilda 2’. Dhe kjo mund të jetë e mundur”,deklaroi Wilson.

Megjithatë, ajo shprehu rezerva për një histori ku protagonistja do të ishte vajza e Matildës. Sipas saj, fuqitë e personazhit burojnë pikërisht nga vështirësitë dhe përvojat e dhimbshme që ajo kaloi gjatë fëmijërisë.

“Një nga gjërat që njerëzit thonë gjithmonë është: ‘Ndoshta mund të jetë vajza e Matildës’. Por unë kam disa rezerva, sepse besoj se fuqitë e Matildës vijnë nga vështirësitë me të cilat u përball. Ato burojnë nga gjërat e këqija që përjetoi dhe e gjithë thelbi i historisë është se ajo arriti t’i kapërcente ato”, u shpreh aktorja./KultPlus.com

Screenshot

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit