Siljanovska-Davkova pranon Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2026

Advertisement

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, priti shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadorin Mihalis Rokas, i cili i dorëzoi Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit për vitin 2026.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se janë arritur rezultate konkrete dhe të dukshme. Të dy përshëndetën vlerësimin e vendit si një nga shtetet më të suksesshme në përmbushjen e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ambasadori Rokas theksoi dobësitë e evidentuara në raport dhe nevojën për intensifikimin e reformave në sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.

Sipas Siljanovska-Davkovës, niveli i rritur i përgatitjes në kapitujt 10 (Transformimi digjital dhe mediat) dhe 26 (Arsimi dhe kultura), si dhe përparimi i evidentuar në shkencë, kërkime dhe politikën e përbashkët të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, dëshmojnë kapacitetin institucional të vendit për përmbushjen e standardeve evropiane.

Ajo pret që përfundimi i udhërrëfyesve për sundimin e ligjit dhe reformën e administratës publike, si dhe i Planit të Veprimit për mbrojtjen e pakicave, të sjellin ndryshime dhe përparim të dukshëm në Klasterin e Parë – “Themeloret”.

Siljanovska-Davkova theksoi se, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese, do të vazhdojë të veprojë në frymën e reformave dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë.

Presidentja rikujtoi se raporti duhet të pasqyrojë në mënyrë objektive përmbushjen e kritereve të Kopenhagës dhe jo kushtet politike dypalëshe të imponuara, të cilat, sipas saj, janë në kundërshtim me vlerat dhe parimet evropiane të përcaktuara në aktet kushtetuese të BE-së.

Ajo vlerësoi se lënia jashtë e Maqedonisë së Veriut nga grupi i vendeve kryesuese në procesin e zgjerimit nuk e pasqyron realitetin dhe dërgon sinjale negative te opinioni publik në vend.

Siljanovska-Davkova përsëriti thirrjen për trajtim të barabartë të të gjitha vendeve kandidate në procesin e anëtarësimit në BE. Sipas saj, nevojitet vullnet politik dhe angazhim më aktiv i institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit