Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga deputetet Saranda
Imeri Stafai, kryetare e Komisionit për Kulturë dhe Turizëm, Kaltrina Beqiri, zëvendëskryetare e
Komisionit, dhe Dragana Arsova, zëvendësanëtare e Komisionit, mori pjesë më 4 dhe 5 nëntor
2026 në Takimin Ndërparlamentar të Komitetit për Kulturë dhe Arsim (CULT) të Parlamentit
Evropian, që u mbajt në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës, kushtuar zbatimit të Aktit Evropian për
Lirinë e Mediave (European Media Freedom Act – EMFA).
Në takim morën pjesë deputetët dhe përfaqësuesit e parlamenteve kombëtare, anëtarë të
Parlamentit Evropian, përfaqësuesit e institucioneve evropiane, si dhe ekspertët në fushën e
mediave. Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i përvojave dhe qëndrimeve mbi zbatimin rajonal,
kombëtar dhe evropian të Aktit Evropian për Lirinë e Mediave, si dhe shqyrtimi i ndikimit të tij në
mjedisin mediatik, pluralizmin mediatik, pavarësinë e mediave dhe shoqërinë demokratike.
Punimet e takimit u zhvilluan përmes katër sesioneve tematike, të përkushtuara për: 1.
Kontributin e Aktit Evropian për Lirinë e Mediave në përmirësimin e mjedisit mediatik; Në të cilin
mori pjesë Saranda Imeri Stafai, kryetare e Komisionit për Kulturë dhe Turizëm, e cila trajtoi
situatën momentale me mediat në Maqedoni dhe i theksoi sfidat me të cilat përballemi si vend. 2.
Kornizën e BE-së për mediat dhe barazinë gjinore, përkatësisht rolin e mediave në formësimin e
shoqërisë më të barabartë; 3. Aspektet digjitale të zbatimit të Aktit Evropian dhe sfidat e ofrimit të
informacioneve të besueshme në mjedisin digjital; 4. Perspektivat për zbatimin e Aktit dhe
mbështetjen e tij për ekosistemin mediatik në nivel rajonal.
Përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave, u shqyrtuan qasjet dhe sfidat e ndryshme
kombëtare në zbatimin e standardeve evropiane për lirinë e mediave, si dhe mundësitë për
avancimin e bashkëpunimit ndërparlamentar në këtë fushë.
Pjesëmarrja e Delegacionit të Komisionit për Kulturë dhe Turizëm është mundësi për njohjen e
drejtpërdrejtë me politikat dhe praktikat aktuale evropiane në fushën e lirisë së mediave,
shkëmbim përvojash me përfaqësuesit e parlamenteve kombëtare dhe institucioneve evropiane,
si dhe kontribut në dialogun ndërparlamentar për mbrojtjen dhe avancimin e pluralizmit mediatik,
pavarësisë së mediave dhe vlerave demokratike.









