Qytetarët që planifikojnë të blejnë një banesë të dytë në Maqedoninë e Veriut do të përballen me kushte më të rrepta kreditimi nga 1 dhjetori. Banka Popullore ka vendosur kufizime të reja për nivelin e borxhit dhe afatet e shlyerjes së kredive, me qëllim parandalimin e mbingarkesës financiare të familjeve.
Ndryshimi kryesor ka të bëjë me afatin e shlyerjes së kredive për blerjen e banesës së dytë ose të mëtejshme, i cili shkurtohet nga 30 në 25 vjet. Ndërkohë, kreditë konsumatore me hipotekë do të duhet të shlyhen brenda 15 vjetësh, në vend të 20 viteve të deritanishme.
Rregullat e reja parashikojnë edhe uljen e kufirit të detyrimeve mujore ndaj të ardhurave. Për kreditë në denarë, ky kufi zbret nga 50 në 45 për qind, ndërsa për kreditë me komponentë valutore, nga 45 në 40 për qind.
Kjo do të thotë se një qytetar me të ardhura mujore prej 60.000 denarësh do të mund të ketë detyrime kreditore deri në 27.000 denarë, në vend të 30.000 denarëve.
Përjashtim nga kufizimet e reja bëjnë qytetarët që blejnë banesën e tyre të parë. Për ta mbetet në fuqi afati maksimal i shlyerjes prej 30 vjetësh, me pjesëmarrje minimale vetjake prej 10 për qind. Për blerësit e tjerë, pjesëmarrja minimale do të jetë 25 për qind.
Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, në një intervistë për TV Telma, ka sqaruar se masat synojnë të frenojnë huamarrjen e tepruar dhe t’u japin përparësi qytetarëve që kërkojnë të zgjidhin çështjen e banimit.
“Banesat dhe shtëpitë, para së gjithash, duhet të jenë objekte banimi dhe vetëm më pas objekte investimi”, ka deklaruar Sllaveski.
Nga ana tjetër, ekonomisti Abil Baush paralajmëron se shkurtimi i afateve të shlyerjes mund të rrisë këstet mujore, të ulë kërkesën për kredi dhe të ndikojë në fuqinë blerëse të qytetarëve, si dhe në sektorin e ndërtimit.
Masat vijnë në kohën kur kreditë për banesa kanë shënuar rritje vjetore prej 16,1 për qind në shtator, ndërsa çmimet e banesave në Shkup janë rritur me 10,3 për qind gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026.
Banka Popullore thekson se kufizimet kanë karakter parandalues dhe nuk janë pasojë e ndonjë rreziku të menjëhershëm për stabilitetin e sistemit bankar.








