Mickoski për rastin e Alta Bankës: Shteti po e ndjek procesin, qytetarët të jenë të qetë, do të kompensohen deri në centin e fundit

Advertisement
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me rastin e Alta Bankës, deklaroi:

“Rasti i Alta Bankës është një rast në Serbinë fqinje, ndërsa tek ne ky rast është importuar dhe nuk ka asgjë të ngjashme me atë që ndodhi me Eurostandard Bankën. Eurostandard Bankën e falimentoi Qeveria e mëparshme e LSDM-së, pasi ish-ministrja e tyre e Financave, një ose dy ditë para falimentimit të bankës, tërhoqi nga ajo depozita në vlerë prej 250.000 eurosh. Dhe ky është fakt.

Ne tani kemi një problem të importuar, i cili ka ndodhur në fqinjësinë tonë. Unë jam më shumë i shqetësuar për një fenomen tjetër, për të cilin askush nuk parashtron pyetje, dhe ai është si vijon. Në vitin 2025, shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve, ndërmjet nesh dhe fqinjit tonë verior, ishte diku rreth një miliard e dyqind milionë euro. Më kanë telefonuar disa kompani maqedonase, të cilat thonë se partneri i tyre është në prag të falimentimit ose tashmë ka falimentuar në Serbi, sepse mjetet e tij janë bllokuar në Alta Bankën. Çfarë të bëjmë, ju lutemi, na ndihmoni si Qeveri. Ky do të jetë një problem shumë më i madh.

Pse një problem shumë më i madh? Sepse bizneset po mbyllen, kompanitë po falimentojnë, njerëzit do të mbeten pa vendet e tyre të punës, jo vetëm në Serbi, por edhe tek ne. Sepse ato një miliard e dyqind milionë euro kanë qenë qarkullim i përditshëm i mjeteve që kanë lëvizur gjatë gjithë vitit. E njëjta gjë po ndodh edhe tani.

Kjo më shqetëson më shumë, sepse disa kompani maqedonase më kanë telefonuar dhe ma kanë paraqitur këtë problem. Dhe nëse atje gjendja nuk konsolidohet brenda një kohe të shkurtër, do të përballemi me një problem shumë më të madh, me efekt zinxhiror. Më shqetëson edhe gjendja në Shqipëri, sepse edhe ajo një ditë mund të bartet tek ne.

Sa i përket Alta Bankës dhe blerjes së saj në Maqedoni, përkatësisht Stopanska Banka Manastir, nga ajo që jam informuar dhe në bazë të informacioneve që kam në dispozicion, dua të them se banka është blerë pasi paraprakisht janë respektuar të gjitha procedurat ligjore që aktualisht janë pjesë e legjislacionit të zbatueshëm maqedonas. Janë marrë mendime pozitive nga të gjitha institucionet, përfshirë Komisionin e Letrave me Vlerë, Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës e kështu me radhë.

Në një ankand publik, aksionarët e bankës, të cilët janë persona privatë dhe ku Qeveria nuk ka asnjë lidhje, e as nuk dëshiron të ketë lidhje, ia shesin aksionet blerësit, në këtë rast Alta Bankës nga Serbia. Kështu, ata bëhen pronarë të Stopanska Bankës Manastir dhe më pas e riemërtojnë në Alta Banka Maqedoni.

Të vazhdojmë më tej. Supozoj se po e ndiqni histerinë që po e krijon opozita, jo për të ndihmuar, sepse ata më së paku kujdesen për kursimtarët dhe kreditorët e Stopanska Bankës Manastir apo Alta Bankës Manastir.

Ata mendojnë se në këtë mënyrë do të përfitojnë politikisht dhe do të faktorizohen në skenën politike në Maqedoni, sepse janë të ngarkuar me përçarje të brendshme dhe akuza se kush sa ka qenë i korruptuar gjatë kohës së Qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, por ky është problem i tyre.

Ne jemi parti shtetformuese dhe kujdesemi për interesat e qytetarëve.

Prandaj dua të jem shumë i qartë. Janë të mundshme dy skenarë.

Skenari i parë është të sigurohet një blerës, gjë që do të jetë shumë e vështirë. Pse? Sepse e shihni se çfarë po bëjnë. Mbajnë konferenca për shtyp para Bankës Popullore dhe i dekurajojnë blerësit e mundshëm potencialë, të cilët do ta konsolidonin bankën. Ky është skenari i parë.

Skenari i dytë është që banka, nëse nuk gjendet blerës, të hyjë në procedurë falimentimi. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se do ta humbasë licencën për të ushtruar veprimtarinë e saj.

Por mesazhi që dua t’ua përcjell qytetarëve, kursimtarëve dhe kreditorëve është që të ndihen të sigurt dhe të jenë të qetë, të mos bien pre e histerisë, gënjeshtrave, të pavërtetave dhe spekulimeve që vijnë nga partia opozitare, në këtë rast LSDM-ja.

Pse? Sepse sipas verifikimeve tona, 95-96% e kursimtarëve kanë depozita kursimi deri në 30 mijë euro dhe ato janë të garantuara në shumën e plotë. Të jenë të qetë, mjetet do t’u kthehen deri në centin e fundit, deri në denarin e fundit.

Edhe të tjerët, të cilët do të përfshihen në masën e falimentimit, e që janë disa qindra, gjithashtu duhet të jenë të qetë.

Pse? Sepse aktivet e bankës janë shumë më të mëdha sesa kërkesat ndaj saj. Ndoshta janë dy deri në tri herë më të mëdha.

Prandaj u bëj thirrje qytetarëve, ju lutem, qëndroni të qetë. Mos bini pre e histerisë dhe gënjeshtrave që përhapen nga opozita.

Shteti ka instrumente dhe po e ndjek procesin. Nëse ndodh skenari më i keq, që banka të shkojë në falimentim, nuk do të mbetet askush pa u kompensuar deri në centin e fundit.

Çdo kreditor, qoftë kursimtar apo kompani, do të kompensohet deri në centin e fundit.

Por ajo që ne po bëjmë tani, duke qenë se jemi Qeveri shtetformuese dhe jo opozitë e ngarkuar me përçarje të brendshme, mospajtime dhe akuza se kush sa ka qenë i përfshirë në krim, ndërsa tani këtë e shohin si mundësi për t’u faktorizuar dhe për të krijuar demokraci të rrugës, në vend të asaj që jemi sot, shembull për rajonin.

E shihni se çfarë po ndodh gjithandej, ndërsa ne jemi shembull për rajonin. Prandaj po vijnë edhe këto rezultate ekonomike dhe prandaj, kur bisedoj dhe kërkoj investime tani në Gjermani, ato vijnë sepse thonë se këta janë faktor stabiliteti.

Dhe prandaj, në dhjetor do t’i shpallim tri fabrika që do të ndërtohen. Dhe ky është një lajm i keq për opozitën tonë.

Por lajmi i mirë për qytetarët, edhe në skenarin më të keq, është se, ja, po i shikoj në sy përmes kamerave dhe po ju them se çdo qytetar, çdo kreditor, do të kompensohet deri në centin e fundit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit