Komuna e Çairit po vazhdon aktivitetet në kuadër të fushatës kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve, me fokus në parandalimin, identifikimin e hershëm dhe trajtimin e rasteve të dhunës në shkolla.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, është realizuar trajnimi me temë “Drejtori si mbrojtës i fëmijës”, ku kanë marrë pjesë drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave fillore të komunës.
Sipas njoftimit të Komunës së Çairit, gjatë trajnimit janë trajtuar mekanizmat e raportimit të dhunës, identifikimi i hapësirave me rrezik, bashkëpunimi ndërinstitucional, si dhe hartimi i planeve konkrete të veprimit për periudha 30, 60 dhe 90-ditore.
Nga Komuna theksojnë se mbrojtja e fëmijëve kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe veprim të koordinuar, duke riafirmuar përkushtimin për forcimin e mekanizmave parandalues dhe krijimin e një ambienti shkollor të sigurt, ku respektohen dinjiteti dhe mirëqenia e çdo nxënësi.








