Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, e shoqëruar nga ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Murtezani, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Lafçiski, zhvilloi një takim me gjeneralin Aleksus Gregori Grinkeviç, komandantin suprem të forcave aleate në Evropë, në selinë e Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë.
Siljanovska-Davkova rikonfirmoi përkushtimin e vendit ndaj mbrojtjes kolektive dhe kontributit për sigurinë e aleatëve, duke theksuar se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i pandashëm nga siguria e komunitetit më të gjerë euroatlantik.
Sipas presidentes, integrimi i plotë euroatlantik dhe anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian përbëjnë një pjesë të rëndësishme të arkitekturës evropiane të sigurisë.
Ajo theksoi se mosmarrëveshjet e pazgjidhura, tensionet politike dhe cenueshmëria institucionale e bëjnë rajonin të ekspozuar ndaj kërcënimeve hibride, dezinformatave dhe ndikimeve të dëmshme të jashtme. Për këtë arsye, sipas saj, nevojitet forcimi i qëndrueshmërisë, rritja e gatishmërisë për situata krize dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.
Presidentja vlerësoi se prania e vazhdueshme e KFOR-it dhe e misioneve të tjera të NATO-s është thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.
Siljanovska-Davkova rikujtoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me objektivat e NATO-s, ndërsa aktualisht po punohet për përditësimin e dokumenteve strategjike të mbrojtjes dhe zhvillimin afatgjatë të kapaciteteve të Armatës.
Sipas saj, modernizimi nuk nënkupton vetëm furnizimin me pajisje bashkëkohore, por edhe planifikim të kujdesshëm, investime afatgjata dhe bashkëpunim të ngushtë me aleatët, në përputhje me nevojat e Armatës dhe kërkesat e Aleancës.
Presidentja veçoi në mënyrë të posaçme Korridoret 8 dhe 10, duke theksuar se pozita e tyre gjeografike dhe lidhja infrastrukturore kanë rëndësi të madhe për përmbushjen e misionit të Aleancës.
Ajo gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut angazhohet për respektimin e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Në këtë drejtim, shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me aleatët në kuadër të mekanizmave të përbashkët të ndihmës.
Në fund të takimit, presidentja Siljanovska-Davkova rikonfirmoi vendosmërinë e Maqedonisë së Veriut për të qenë një aleate e besueshme dhe konstruktive, duke kontribuar në mbrojtjen kolektive, paqen rajonale dhe sigurinë e komunitetit euroatlantik.









