Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës në Gjermani ka zhvilluar një takim pune me Hendrik Wüst, kryeministrin e landit federal Renani Veriore-Vestfali, përcjell TV21. Në takim, Mickoski ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, si dhe ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanja Bozhinovska.
Siç njoftoi Mickoski, në takim është diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm, mbështetjen gjermane dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, veçanërisht në ekonomi dhe investime.
“Kompanitë gjermane si ‘Kostal’, ‘Kromberg & Schubert’, ‘WIK’, ‘Gerresheimer’ dhe investitorë të tjerë me renome, të cilët tashmë operojnë me sukses në Maqedoni, janë shembull i shkëlqyer i potencialit për tërheqjen e investimeve të reja nga Nordrhein-Westfaleni”, ka shkruar Mickoski.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e zbatimit të Deklaratës së Përbashkët të Qëllimeve për Bashkëpunim, e cila përfshin disa fusha, mes tyre ekonominë, investimet, arsimin, kulturën, shëndetësinë dhe mbështetjen për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
Mickoski ka bërë të ditur se gjatë takimit është shprehur edhe gatishmëria e kryeministrit Wüst për të vizituar Maqedoninë e Veriut.
“Kjo do të paraqesë një mundësi shtesë për avancimin e partneritetit dhe hapjen e perspektivave të reja për bashkëpunim”, ka theksuar Mickoski.
“Vazhdojmë të ndërtojmë partneritete të forta, të tërheqim investime të reja dhe të hapim dyert për zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja për shtetin tonë”, ka përfunduar kryeministri.








