Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip: Ofrojmë bashkëpunim të plotë me autoritetet për zbardhjen e rastit të notave

Advertisement

Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip ka njoftuar se do të bashkëpunojë plotësisht dhe pa kufizime me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë kompetente, me qëllim zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të rastit që lidhet me dyshimet për keqpërdorim të sistemit elektronik të notave nga një person i punësuar në universitet.

Në reagimin e publikuar pas veprimeve të sotme policore, Rektorati i Universitetit thekson se ka tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimeve në komunitetin akademik.

Nga atje vlerësojnë se hetimi i rasteve të tilla kontribuon në krijimin e kushteve për studime më të mira, më cilësore dhe më objektive.

“Dëshirojmë ta sigurojmë komunitetin akademik, para së gjithash studentët tanë, stafin akademik dhe administrativ, si dhe opinionin e gjerë publik, se UGD-ja mbetet e përkushtuar ndaj vlerave themelore akademike, ndershmërisë dhe së vërtetës, si dhe vazhdon të jetë proaktive në luftimin e dukurive devijuese”, thuhet në komunikatë.

Universiteti thekson se studentët dhe arsimimi i tyre mbeten në qendër të të gjitha aktiviteteve, ndërsa procesi mësimor, obligimet akademike, puna kërkimore-shkencore dhe bashkëpunimi me universitetet e njohura evropiane do të vazhdojnë të jenë prioritet.

Nga Universiteti gjithashtu sigurojnë opinionin se mbeten të përkushtuar ndaj transparencës, hapjes dhe integritetit institucional.

“UGD-ja nuk do të lejojë që çfarëdo dyshimi të njollosë punën dhe vlerën e diplomave të mijëra studentëve dhe të punësuarve të ndershëm. Kemi tolerancë zero ndaj çdo forme të korrupsionit apo keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Integriteti institucional dhe besimi i studentëve tanë janë mbi të gjitha”, thuhet në reagimin e Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit