Kryeministri Hristijan Mickoski, në paraqitjen e tij në emisionin “Samo intervju” në televizionin Kanal 5, deklaroi se qeveria që nga zgjedhja e saj jo vetëm që mbron interesat shtetërore, por edhe po përballet me sukses me krizën energjetike. Megjithatë, ai theksoi se nevojitet një angazhim edhe më i fuqishëm, duke shtuar se sot jetohet më mirë se para tre apo katër vitesh.
“Ne jemi në vitin e tretë të qeverisjes. Kanë kaluar rreth 28 muaj që nga zgjedhja e qeverisë. Nuk ekziston asnjë aferë e lidhur me këtë qeveri. I mbrojmë interesat shtetërore dhe po ia dalim mjaft mirë në kushtet e një lufte të tretë botërore të heshtur dhe të padukshme, si pasojë e krizës energjetike dhe krizës në tregjet financiare, të cilat kanë shkaktuar edhe trazira sociale në shumë kryeqytete evropiane”, deklaroi Mickoski.
Ai tha se qeveria e tij vepron me disiplinë dhe jo me arrogancë, duke theksuar se po punohet për ta bërë shtetin një vend më të sigurt për qytetarët.
Sipas Mickoskit, aksionet policore kanë ndikuar në luftën kundër kriminalitetit në disa fusha. Ai përmendi se qytetarët, përfshirë edhe të rinjtë, sot mund të lëvizin më lirshëm në qendër të Shkupit dhe në qytete të tjera të vendit.
Megjithatë, kryeministri pranoi se rezultatet nuk janë të mjaftueshme dhe se nevojiten masa edhe më të fuqishme.
“A është kjo e mjaftueshme? Jo. A duhet që gjithçka të jetë edhe më e fuqishme? Po, pajtohem. Por a është më mirë se para tre apo katër vitesh, kur mafia dhe bandat sundonin nëpër Shkup? Është shumë më mirë”, theksoi Mickoski.








